Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, ka akuzuar PS-në se ka përdorur legalizimet në këmbim të votave. Në një deklaratë për mediat, Bardhi tha se e gjithë administrata publike u vu në funksion të PS për blere votash, ndërsa publikoi edhe disa biseda në rrjetin social Whatsapp, që sipas tij faktojnë skemën e blerjes së votave, duke legalizuar banesa në këmbim të votave.
Bardhi thotë se grupi i Whatsapp është hapur me urdhër të Belinda Ballukut dhe drejtohet nga Këshilltarja e saj në Kabinetin e Ministrit Laureta Omeri. Sipas tij, këto prova janë dorëzuar në Prokurori që më 12 prill, por se ende nuk është ndërmarrë asnjë veprim.
Provat që do të ekspozojmë sot faktojnë masakrën zgjedhore. Ato janë vënë në dispozicion të Prokurorisë prej datës 12 Prill dhe ajo deri në këtë moment nuk ka vepruar. Kjo që shikoni është grupi i ëhatsapp i hapur me urdhër të Belinda Ballukut dhe drejtuar nga Këshilltarja e saj në Kabinetin e Ministrit Laureta Omeri. Përmes këtij personi, Belinda Balluku ekzekuton skemën e blerjes së votave, duke legalizuar banesa në këmbim të votave.
Kjo bisedë në whatsapp fakton se për më shumë se 1 muaj administrate publike është vënë në funksion të blerjes së zgjedhjeve. Provat tregojnë se si PS jep leje legalizimi në këmbim të votës.Në këtë bisedë ka detaje të ndërtesave dhe adresave përkatëse për të cilat shtabet elektorale të Partisë Socialiste urdhërojnë legalizimin e menjëhershëm para zgjedhjeve, në këmbim të votës. Aty dalin në pah hartat e banesave, emrat e punonjësve të administratës publike në vënë në shërbim të kësaj skeme kriminale të blerjes së votës, emrat e votuesve, por edhe shumë informacione të tjera. PD ka bërë kallzim kundër ministres Balluku dhe stafit të saj për krime elektorale, shpërdorim detyre dhe grup të strukturuar kriminal që prej datës 12 prill 2021. Prokuroria nuk ka bërë asgjë as për ta ndalur, as për ta parandaluar dhe as për ta ndëshkuar këtë skemë të pastër kriminale të blerjes së votës në këmbim të legalizimit të banesës", tha Bardhi.
