Gent Sejko: Pandemia ka goditur ekonominë, humbi rreth 50 mijë vende pune! Sistemi bankar shqiptar mbetet i shëndetshëm

10 Dhjetor 2020, 17:56 | Përditesimi: 10 Dhjetor 2020, 17:56

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka deklarur se ekonomia shqiptare është goditur fort si pasojë e pandemisë, duke bërë që 50 mijë vende pune të humbasin, kjo sipas tij e barasvlershme me një rënie vjetore të punësimit prej 3.6%.

"Të dhënat e fundit sugjerojnë se pandemia ka goditur fort ekonominë shqiptare, e cila, si pasojë, përjetoi ngushtimin më të fortë të prodhimit të brendshëm bruto, në dy dekadat e fundit, në -10.2%, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2020. Të dhënat makro nga tregjet e punës tregojnë se, krahasuar me fundin e vitit 2019, ekonomia shqiptare humbi rreth 50 mijë vende pune, e barasvlershme me një rënie vjetore të punësimit prej 3.6%. Si rrjedhim, norma e papunësisë u rrit në 11.9%.

Në përgjigje të këtyre zhvillimeve, inflacioni, në tremujorin e tretë, ra në 1.4%, nga 1.9% në tremujorin e kaluar. Pavarësisht këtyre goditjeve negative, masat e marra nga Banka e Shqipërisë ofruan stimulin monetar të nevojshëm për të mbështetur funksionimin normal të tregjeve financiare dhe për të siguruar fluksin e kredisë në ekonomi. Normat e interesit për individët dhe bizneset janë në nivele të ulëta, presionet për likuiditet janë nën kontroll, ndërsa kursi i këmbimit është i qëndrueshëm", tha Sejko.

Por pavarësisht sfidave sipas tij sistemi bankar mbetet i shëndetshëm. Kredia për ekonominë po rritet (ajo u rrit me 6.3% në tremujorin e tretë të vitit 2020) shton
Sejko. Kapitali është i mjaftueshëm dhe bilancet e bankave mbeten të shëndetshme, duke sinjalizuar aftësinë e tyre për t'i përballuar goditjet e raundit të parë.

 

b.ha./Shqiptarja.com