Gjashtë vrasje të pazbardhura/ Prania e RENEA-s largon 'të fortët' nga Shkodra

8 Shtator 2018, 14:31

Policia në Shkodër vijon të jetë në kërkim të personave që kanë kryer 6 vrasjet e fundit në këtë qytet. Pavarësisht se deri më tani kanë qenë 4 të arrestuar dhe të dyshuar si të lidhur me këto vrasje, nuk ka asnjë provë që e lidh Ilir Bajrin, Erogren Brajoviç, Emer Plakun dhe Astmer Bilalin me këto vrasje.

Prokuroria në Shkodër është në pritje të analizave nga laboratori shkencor, nëse ndonjë nga armët e sekuestruara është përdorur në vrasjet e fundit. Grupi hetimor shpreson të marrë përgjigje pozitive nga laboratori për këto armë, çka mund të çojë edhe në identifikimin e autorëve të vrasjeve në Shkodër.

Ilir Bajri, Emer Plaku, Astmer Bilali dhe Erogren Brajoviç nuk kanë pranuar asnjë prej akuzave të ngritura nga Prokuroria. Ata thanë se nuk janë pjesë e ndonjë grupi kriminal dhe se nuk kanë lidhje me vrasjet e ndodhura në Shkodër.

Paralelisht uniformat blu në qytetin verior janë në kërkim të personave të anëtarëve të tjerë të fisit Bajri, të cilët nuk u gjetën në banesat e tyre gjatë kontrolleve të RENEA-së.

 Pas ndërhyrjes së RENEA-së qyteti i Shkodrës i është rikthyer normalitetit dhe situata është qetësuar. Kjo lidhet edhe me faktin se disa prej anëtarëve të grupeve kriminale janë larguar nga Shkodra pa nisur ende kontrollet e RENEA-së. Frika për ndonjë arrestim të mundshëm ka bërë që personat e skeduar nga Policia të largohen nga Shkodra.

Deri më tani nuk ka asnjë të arrestuar për 6 personat e vrarë muajt e fundit në qytetin verior. Vrasjet e muajve të fundit dyshohet se kanë ndodhur për shkak të përplasjeve mes grupeve kriminale dhe gjobave që mund tu jenë vendosur biznesmenëve të ndryshëm.