Gjelat e detit, fermerët e Lushnjes: S’ka blerës! Konsumatorët: Çmimi i lartë...

28 Dhjetor 2019, 19:12

Viti i Ri është festa që çdo shqiptar e feston. Të gjithë i kushtojnë një rëndësi të madhe natës së ndërrimit të viteve. Duke nisur që me dekorin e shtëpisë deri në përgatitjen e gatimeve. Gjeli i Detit dhe bakllavaja janë dy gatimet tradicionale për natën e Vitit të Ri.

Lushnja është dhe zona karakteristike për rritjen e gjelave të detit. Gjatë këtyre festave trotuarët e qytetit mbushen nga fermerë që shesin gjela deti. Por këtë vit ata ankohen se nuk ka treg shitje dhe që çmimi nuk justifikon punën që u duhet për të rritur gjela deti.

“Nuk na del kostoja, shpenzimet janë të rënda do një vit të rritet. E shesim me 8 ose me 9 por nuk na leverdis. Dhe prapë njerëzit nuk i marrin, fitimin se kemi por duhet të ushqehemi”, thanë fermerët

Ndërkohë nga ana tjetër konsumatorët shprehen se çmimi për një gjel deti është i lartë dhe që u duhet të kursejnë që të arrijnë të blejnë një gjel pasi është dhe gatimi tradicional për Vitin e Ri.

“ I blemë më 7.5 mijë lekë kilogramin, por ishte me 8. E blejmë se një vit i ri është por me këtë çmim është shumë i vështirë. Por një herë në vit është dhe sakrifikojmë”, thonë qytetarët

Edhe në qytete të tjera tregtarët ankohen se ka rënë fuqia blerëse krahasuar me një vit më parë. Mesa duket shqiptarët po shpenzojnë më pak për natën e ndërrimit të viteve.