Gjelat e detit në Peqin/ Fermerët: Nuk ka shitje, viti shkuar ishte më i mirë

23 Dhjetor 2020, 21:23

Pas më shumë se 6 muajsh përkujdesje, 'mbreti' i tryezës së fundvitit është gati. Peqin është një nga zonat e njohura për rritjen e gjelave të detit, por këtë vit shitja ka rënë.

Fermerët tregojnë për mikrofonin e Report Tv vështirësitë që kalojnë për të rritur një shpend të tillë  deri në momentin e festave.

Gjeli i detit kërkon punë, angari, e ushqejmë më misër, bar të njomë, që i japin shumë shije mishit" - thotë një prej fermerëve.

Prisnin në fund të vitit që mundi t'u shpërblehej, por po ndodh e kundërta.

"Shitja këtë vit ka qënë dobët, por presim të vijnë të blenë, deri tani kam shitur 4-5 copë. Gjeli i detit nuk po ecën me 700 lekë kg edhe me zor, me cfarë shof nuk do shiten do të mbesin stok. Viti i kaluar ishte edhe më mirë. Prit kur të shkojë kg me 600 lekë ajo do të jetë më e keqja" - thotë një tjetër fermer.

Në pritje të këtyre datave banorët çdo ditë në tokat e tyre reklamojnë shpendin e preferuar të qytetarëve për tryezën e festave të fundvitit.