Gjenden lekët e grabitura në postën e Krujës, 3 autorët me mina me telekomandë, armë me silenciatorë dhe makina e targa të vjedhura

7 Nëntor 2019, 17:58 | Përditesimi i fundit: 2019-11-07 20:10:24

DURRES - Tre persona janë vënë në pranga për grabitjen e filialit të Postës Shqiptare në Fushë-Krujë, ngjarje e ndodhur tre ditë më parë, në 03:00 të mëngjesit, një orar që çuditërisht korrespondoi me mungesën e energjisë elektrike në postë. Drejtori i Policisë së Durrësit, Lorenc Shehu, në një konferencë për mediat këtë pasdite, tha se tre janë personat e arrestuar si autorë në kuadër të operacionit të koduar "Filiali". Ata rezultojnë anëtarë të një grupi të strukturuar kriminal, që edhe më herët kanë kryer vjedhje të pronës me armë e dhunë në disa qytete, shkatërrim të pronës me eksploziv, vepra penale në fushën e krimeve ndaj personit, si dhe në fushën e narkotikëve.

Gazmir Saka, 32 vjeç, Andi Rexhepi, 30 vjeç dhe Mark Caka, 33 vjeç, të tre banues në Krujë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me persona të tjerë, nën kërcënimin e armëve kanë vjedhur kasafortën e filialit të postës shqiptare në Krujë, një shumë që sipas drejtorit të Postës Shqiptare, ishte 13 milionë lekë të rinj dhe 1500 euro. Policia kreu kontrolle në disa banesa në Krujë dhe në Sanxhak të Laçit, aty ku u gjetën një shumë e konsiderueshme parash, dhe dy makina të vjedhura, një Range Rover dhe një Benz 320, ku i fundit i përdorur nga autorët për realizimin e grabitjes. Banesa e tyre ishte kthyer në një strehë të armëve dhe municioneve të paligjshme, deri në mina me telekomandë.