Gjendja e bujqësisë dhe heqja e akcizës/Kreu i Agrobiznesit: Tërmeti dhe pandemia, goditën prodhimin

5 Tetor 2020, 21:47

Sektori i bujqësisë kërkon mbështetje nga qeveria edhe pse i rezistoi pandemisë dhe nuk hyri në recesion. Kreu i Agrobiznesit Agim Rrapaj thotë për Report TV se bujqësia nuk u rrëzua për shkak të resurseve të mëdha, por që kërkon mbështetje pasi prodhimi ka rënë. Ministria e Bujqësisë sipas burimeve do të plotësojë një kërkesë të vazhdueshme të fermerëve, heqjen e akcizës për naftën. I vetmi sektor që nuk hyri në recesion si pasojë e karantinës ishte bujqësia. Agim Rrapaj kreu i këshillit të Agrobiznesit thotë për Report TV se pavaresisht kesaj gjendja është kritike, pasi janë përballur me dy goditje. “Post tërmeti ndikoi sepse ishte periudha e vjeshtës dhe është një periudhë fushate, por mbas kësaj edhe periudha e pranverës që ishte COVID-19 ishte përsëri periudhë fushate. Pra në dy periudha fushate të bujqësisë dhe ndikoi shumë keq sa i takon perspektivës”, thotë Rrapaj. Në një situatë të tillë ku nuk janë realizuar pritshmëritë për asnjë sektor dhe kur kontributi i vetëm pozitiv ishte nga pasuritë e paluajtshme dhe bujqësia, Rrapaj thotë se qeveria duhet të marrë në konsideratë tre pika kryesore, për të eliminuar humbjet. “Duhen bërë vlerësime në mënyrë që ndërhyrja të ndodhë në kohën e duhur. Shpesh mos-ndërhyrja në kohën e duhur bën atë që ne të kemi vështirësi shumë të mëdha në procesin e prodhimit dhe në rritjen ekonomike, kjo është e para. E dyta ne duhet të ndjekim hap pas hapi konkurrencën. Vendet e rajonit duhet ti ndjekim me shumë kujdes që të jemi në koherencë me ndërhyrjet që ata bëjnë. Së treti buxheti që do të planifikojnë për periudhën në vijim duhet të marrë parasysh të gjitha humbjet dhe eliminimin e tyre”, shprehet kreu i KASH. Ndërkohë që partitë politike kanë nisur me premtimet e para për fushatën elektorale, Rrapaj thotë se besueshmëria e tyre do të varet nga fakti se sa do ti marrin parasysh kërkesat e tyre.