Gjendja e shkollave në Tiranë pas tërmetit, bie i gjithë tavani i katit të tretë te 'Sami Frashëri'

30 Nëntor 2019, 18:41

Lëkundjet e fuqishme të tërmetit të 26 nëntorit, kanë shkaktuar dëme jo vetëm në banesa, por dhe në shkolla. Situata në Tiranë, nuk paraqitet në gjendje të rënduar, me përjashtim të gjimnazit "Sami Frashëri", ku në katin e tretë, ka rënë i gjithë tavani.

Në shkollën 9-vjecare, “Pal Engjëlli”, lëkundjet e tërmetit kanë shkaktuar plasaritje të mureve të brendshme të godinës, por pas inspektimeve nga ana e inxhinierëve, janë bërë riparimet e nevojshme për të bërë të mundur rikthimin e fëmijëve në shkollë.

Dëmtime ka pasur dhe shkolla 9-vjeçare ‘Kongresi i Lushnjes”, godina ka pësuar krisje të murit të jashtëm. Edhe në këtë shkollë, kanë qenë përfaqësues të bashkisë që kanë bërë riparimet e nevojshme.

Kjo shkollë ka pësuar dëmtime edhe gjatë tërmetit që ra vetëm dy muaj më parë. Përsa i përket shkollave në Durrës, janë kontrolluar të gjitha shkollat dhe pritet vendimi i ministres së arsimit për të caktuar datën e rifillimit të procesit mësimor dhe listën e shkollave të dëmtuara.