TIRANE-Qeveria shqiptare dhe kompania italiane ENI kanë firmosur sot marrëveshjen për kërkim hidrokarburesh në bllokun e Dumresë. Marrëveshja është firmosur nga ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku me përfaqësuesin e kompanisë italiane, ndërsa të pranishëm ishin kryeministri Edi Rama me ambasadorin Cutillo. Kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se kjo është kontrata më e mirë dhe më e favorshme e firmosur për Shqipërinë, që do të sjellë shumë të ardhura, vlera dhe eksperiencë.
"Është një moment shumë i rëndësishëm për vendin tonë, për sektorin e hidrokarbureve dhe për të ardhmen e ekonomisë së vendit tonë momenti që sot na ka sjellë në nënshkrimin e një marrëveshjeje me kompaninë e mirënjohur italiane ENI. Është vazhdim i një historie të nisur shumë kohë më parë, sepse, qysh në vitin 1903, kur ne ishim ende pjesë e perandorisë otomane, ishin inxhinierët italianë ata që erdhën të parët për të filluar të krijonin një opinion lidhur me nëntokën tonë dhe eksplorimet vazhduan më pas në vitin 1918 me shpimin e parë të një pusi në Drashovicë të Vlorës dhe ishte po meritë e miqve tanë italianë, në atë kohë e një kompanie italiane, “Azienda Italiana Petroli Albanesi” (AIPA), që, për herë të parë, u krijua si kompani e mirëfilltë dhe e strukturuar për të nxjerrë dhe për të përpunuar naftë.
Nga viti 1928, kur u realizuan shpimet e para në Kuçovë dhe deri në fund të vitit 1944, kur italianët u larguan përfundimisht nga vendi ynë, AIPA kreu me mijëra shpime dhe prodhimi ynë i naftës arriti në 950 mijë ton. Megjithatë, raporti ynë historik me naftën është disi i komplikuar edhe për shkaqe, në radhë të parë, politike dhe historike. Thuhet se, kur Victor Emmanuel u prezantua me idenë e pushtimit të Shqipërisë në ’39, ngriti pyetjen: “Çfarë dreqin i duhen mbretërisë italiane 28 mijë kilometra katrorë shkëmb matanë detit?” Dhe përgjigja e Kontit Ciano ishte se, “ata shkëmbinj mund të plotësonin 100% të nevojës italiane për krom, 30% të nevojës për naftë dhe me pak investime mund të mbulonin gjithë nevojën italiane për hekur”.
Historia më pas dihet si vijoi në periudhën e mbylljes së një kontradikte që e pengoi zhvillimin normal të sektorit mes një përpjekjeje për të rritur burimet njerëzore brenda vendit dhe për hir të të vërtetës, u krijuan burime njerëzore të një niveli shumë të lartë dhe mbylljes totale të vendit në raport me botën, çka kufizoi maksimalisht kapacitetet zhvilluese edhe teknologjike të vendit. Megjithatë, në momentin e parë pas rënies së diktaturës ka një shkrim në gazetën “La Republika”, në shtator të ’91 që titullohet “ENI birëson Shqipërinë”.