Gjiknuri nga Vlora: Transformuam arsimin profesional! PD do sjellë regres dhe bllokim të projekteve

1 Prill 2021, 11:05

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës, Damian Gjiknuri ka folur për arsimin profesional duke thënë se në dy mandatet e qeverisë Rama ka njohur një transformim të rëndësishëm. Gjatë takimit me profesionistët e rinj në Vlorë, Gjiknuri tha se profesionet e reja janë bërë në përputhje me tregun e punës dhe kërkesat kryesisht të turizmit në kuadër të transformimit të qytetit. Gjiknuri kërkoi që me votë vlonjatët të ndalin regresin dhe kërcënimet e opozitës për bllokimin e projekteve që i japin frymëmarrje të ardhmes turistike të Vlorës. 

“Në fillim thanë s’ka bërë asgjë për Vlorën Edi Rama. Kur filluan të dalin gjithë këto projekte në pah sikurse ishte shëtitorja, Sheshi i Flamurit etj. thonë do ti çojnë në SPAK. Duan t’i pengojnë, i vret e mira. Do të thotë se nëse vijnë ata në pushtet do të bllokohen, siç bënë në 2006-tën me mbikalimin e Zogut të Zi. Do të çojnë Sheshin e Flamurit në SPAK, do çojnë sheshin e Skelës në SPAK me qëllim që progresi të pengohet. Ky është mentaliteti i Partisë Demokratike! Nuk mund ta hedhim poshtë mundësinë. U erdhi një shans vlonjatëve që të  krijohet mundësia që jeta të jetë më e bukur këtu, por këta duan ti bllokojnë projektet. Ju vret syrin e bukura e ndryshimi dhe e dinë se qytetarët e Vlorës e duan ndryshimin. Vlonjatët e dinë se me këtë qeveri dhe me Edi Ramën Vlora do të bëhët”, tha Gjiknuri.