Gjiknuri takim me sportistë e trajnerë të klubit 'Flamurtari': Mandatin e tretë vëmendje e shtuar për sportin në Vlorë

13 Prill 2021, 14:02

Drejtuesi i Politik i PS-së në qarkun e Vlorës, Damian Gjiknuri, zhvilloi sot një takim me sportistë e trajnerë të klubit “Flamurtari”. Të pranishëm në takim ishin edhe kandidatët për deputet Anduel Tahiraj, Laura Ferati dhe nënkryetari i Bashkisë së Vlorës Afrim Qendro.

Gjatë fjalës së tij,  Gjiknuri theksoi se ndryshimet transformuese që ka njohur Vlora, do të shoqërohen me vëmendjen e veçantë që do t’i kushtohet zhvillimit të sportit. Duke pranuar se mund dhe duhet të ishte bërë edhe më shumë për sportin në Vlorë, Gjiknuri premtoi se gjatë mandatit të tretë qeverisës, kjo panoramë do të ndryshojë plotësisht.

“Një projekt që mendoj se duhet ta shikojmë të gjithë sëbashku, e për të cilin unë do të marr rolin e liderit për të lobuar, është restaurimi i Pallatit të Sportit. Ka ardhur momenti që Pallati i Sportit kërkon një restaurim. Kryeministri Rama si një njeri që e di mirë atë që thashë, ekuilibrin mes të bukurës dhe sportit, jam i bindur se do ta kemi në krah për të na mbështetur në këtë drejtim. Vlora e meriton dhe Vlora ka mundësi të jashtëzakonshme. Si e mendojmë ne? Vlora po ndryshon e po bëhet qytet i bukur. Vlorës po i vijnë disa asete që as nuk i ka mendur kush. Është një vend që ka edhe detin edhe malin shumë afër. Kjo mund të japë mundësi për shumë sporte që mund të kenë edhe natyrë turistike por në fund të fundit janë aktivitete që ndihmojnë edhe qytetin, edhe rininë e këtij vendi.