Gjiknuri: U dakodësuam për të tre pikat! Mbledhja e ardhshme 28 maj, reforma mund të zgjasë dhe përtej 31 majit

26 Maj 2020, 15:20

Përfaqësuesi i mazhorancës në Këshillin Politik të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri tha se në takim kishte progres dhe se palët u dakordësuan për të treja pikat financimi i partive, kuota gjinore dhe periudha zgjedhore. Gjiknuri tha se u dakordësua për financimin e partive duke ulur financimin nga privati dhe rritur atë të shtetit, por ende nuk është vendosur raporti mes tyre. Gjithashtu dhe përfaqësimi gjinor ku 1 në 3 emrat në listë të jetë grua si dhe ndryshimi i periudhës zgjedhore, për të cilën Gjiknuri tha se ishte një kërkesë e kahershme e palëve politike. Ai tha se takimi i ardhshëm do të jetë më 28 maj, ndërsa për mbylljen e reformës zgjedhore më 31 maj, ai tha se mund të shtyhet me disa ditë, por e rëndësishme është që puna të vijojë intensivisht.