Gjimnazet gati për të pritur nxënësit në 14 Shtator, Veliaj: Nuk rrisim të rinj qylaxhinj, por punëtorë

11 Shtator 2020, 18:31

Ashtu si shkollat 9-vjeçare, edhe gjimnazet e Tiranës janë gati të presin nxënësit në 14 shtator, pasi janë dezinfektuar dhe pajisur me mjetet e higjienës për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në takimin e zhvilluar me drejtuesit e shkollave të mesme në kryeqytet, i përgëzoi ata për punën përgatitore, që çdo shkollë të garantojë zbatimin rigoroz të protokolleve shëndetësore. Ai tha se tashmë lipset që kriza që kaloi vendi ynë vitin e shkuar, qoftë me tërmetet, ashtu edhe me pandeminë, të kthehet në një mundësi për të ardhmen e të rinjve.