TIRANE - Tridhjetë e nëntë ditë pasi siguroi lejen prindërore dyvjeçare, anëtari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Gjin Gjoni, njëherësh gjyqtarë i Apelit në Tiranë dhe anëtar i Kolegjit Zgjedhor, është rikthyer me urgjencë në KLD. Gjin Gjoni rezulton se ka marrë pjesë në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, mbajtur në datën 19 nëntor 2018, ku u zëvendësua kryetarja e Gjykatës së Apelit Vlorë Alma Liçaj me Iliba Bezatin. Liçaj u shkarkua nga Komisioni i Vetingut pasi nuk justifikonte pasurinë.
Në datën 11 tetor 2018, Këshilli i Lartë i Drejtësisë miratoi një leje dyvjeçare prindërore për Gjin Gjonin, leje e cila u konsideruar si e paligjshme nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Kërkesa u paraqit nga anëtari i KLD, Gerd Hoxha, i cili tha se Gjin Gjoni është bërë me vajzës dhe për shkak të se vajza dhe bashkëshortja janë rezidente në Gjermani, kjo situatë kërkon angazhimin e gjyqtarit larg Shqipërisë. Megjithatë, pavarësisht argumenteve të parashtruara në KLD në 11 tetor për domosdoshmërinë për të qëndruar gjatë në Gjermani, Gjin Gjoni është shfaqur në mbledhjen e KLD së datës 19 nëntor 2018, duke marrë sigurisht edhe pjesë në votim.
Nuk dihet se cila është arsyeja reale e rikthimit të befasishëm të Gjin Gjonit në KLD, domosdoshmëria për të ruajtur shumicën e votave në KLD, rreziku i përmbysjes së balancave apo shqetësimi për situatën që krijon mungesa e kryetarit të Gjykatës së Vlorës, siç edhe pretendon KLD në njoftimin për mbledhjen e jashtëzakonshme. Ndërkaq, në datën 16 nëntor 2018, Gjin Gjoni është përzgjedhur nga administrata e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, me anë të shortit, për t’ju nënshtruar skanerit të trefishtë të Vetingut, për ligjshmërinë e pasurisë, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Krahas Gjin Gjonit, është përzgjedhur edhe gjyqtarja pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, Fatmira Hajdari si dhe pesë anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, konkretisht Eneida Civici, Gerd Hoxha, Neritan Cena, Petrit Çomo dhe Ridvan Hado, që të gjithë gjyqtarë pranë Gjykatës së Apelit.