Gjinushi për Report TV: Nëse s'do ishin marrë masat, bilanci do ishte 2-3 fish më i rëndë!

26 Mars 2020, 13:07

TIRANË- Kreu i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, shprehet se qytetarët duhet të sillen të gjithë sikur janë të prekur me koronavirus, kështu do të mbrojnë veten, por edhe të tjetër. Për Gjinushin, nëse nuk do të ishin marrë masat apo nuk do të ishin respektuar në pjesën më të madhe të tyre, do të kishim një bilanc 3-4 fish më tragjik. Në një intervistë për Report Tv, Gjinushi vë theksin se 90% e përballimit të kësaj situate është në dorën e njerëzve, 10% nga personeli mjekësor apo shkenca. "Lufta kryesore është luftë shifrave. Përhapja e pandemisë në çdo vend varet nga dy faktorë nga shkalla e ngjitshmërisë apo përhapjes dhe nga mobilizimi i popullsisë, pra se sa shkëmbehen qytetarët me njëri-tjetrin. Ne të parën nuk mundemi ta bëjmë, nuk e ngadalësojmë dot, atëherë jemi të detyruar të bëjmë kufizimet sociale. Sot mund të ishim në 3-4 fish të shifrave që jemi, nëse do e kishim lënë sëmundjen natyralisht, nëse shoqëria do bënte një jetë normale, pa kufizimet, pa higjienë. Sot do ishim minimumi te 3-4 fishi, këtë e tregon përvoja e Kinës apo në Itali, ku numrat janë rritur në shumfish në Lombardi, por kanë qenë shumë të kontrolluar në Venecia, se janë respektuar më shumë masat. Të gjithë duhet ta konsiderojnë veten si mbartës të virusit dhe duhet të mbrojnë veten e tij dhe të tjerët. Dhe kështu bie fluksi dhe puna e bluzave të bardha. Ritmin e rritjes e përcakton sjellja e qytetarëve. 90% e kemi në dorë vetë, 10% nga efikasiteti i kujdesit shëndetësor", tha Gjinushi, teksa vuri theksin edhe tek rëndësia e fondeve."Vendosja në kontroll është kryesorja. Fondet pastaj janë të domosdoshme, për mbrojtje të personelit mjekësor, por edhe për të minimizuar humbjet e jetës. Më pas duhet mbrojtja e atyre që janë në kontakt me shërbimet sociale, fonde dhe për të zhvilluar më shumë teste, që të mos varen shpresat tek kufizimi, por edhe tek zbulimi', tha kreu i Akademisë së Shkenca për Report Tv. Ai ka lexuar edhe deklaratën e Akademisë së Shkencave lidhur me situatën e krijuar nga virusi SARS-COV-2 në vendin tonë dhe punën e bërë deri më tani nga kjo Akademi dhe komisionit të shëndetësisë, në varësi të saj.