Gjirokastër/ Rrëshqitjet masive të dheut në lagjen “Punëtori”, fillon rehabilitimi i terrenit

9 Tetor 2018, 17:26

Ka nisur sot sondimi i terrenit shtufor në kodrën e lagjes “Punëtori” ku në janar të këtij viti, një pallat gjashtë katësh si dhe disa banesa private, rrezikuan shembjen. Një grup specialistësh të firmës që merret me sondimin e terrenit, kanë nisur sot shpimet në fundin e kodrës dhe gjatë 36 ditëve do të avancojnë në të gjithë hapësirën që mbart rrezik shembjeje si rrjedhojë e pasurimit me ujëra nën dhe mbitokësorë.  

Kjo ndërhyrje kryhet pas përpilimit të projektit nga ana e Bashkisë së Gjirokastrës me vlerën e 4 milionë lekëve dhe vonesa ka ardhur si pasojë e tenderimit. Nënkryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Vangjel Muço, shprehet se pas përfundimit të procesit të startuar sot, qeveria shqiptare është ajo që do të alokojë fondet për ndërhyrje.

Këtu ndodhemi në trupin e rrëshqitjes që ka ndodhur vitin e shkuar, dhe jemi në momentin e sondimit për të stabilizuar këtë rrëshqitje. Do të bëjmë vazhdimisht kërkesat pranë qeverisë për të na mbështetur.

Vangjel Muço, nënkryetar i Bashkisë Gjirokastër.

Në 5 janar të këtij viti, trualli nën pallatin 6 katësh në kodrën e lagjes “Punëtori” pati lëkundje tektonike ccka bëri të mundur evakuimin e të gjithë bujtësve të kësaj ndërtese, si dhe evakuimin e familjeve në ndërtesat private rreth e rrotull.

Familjet u strehuan në konvikt dhe në hotele nga Bashkia për të shmangur rrezikun e shembjes së ndërtesës. Pas disa javësh, familjet u rikthyen në pallat dhe sot e kësaj dite ata rrojnë me frikën e shembjes së godinës ku jetojnë.