GJITHÇKA që ju duhet nga eksperti mbi pensionet ushqimore, çfarë janë dhe kush i përfiton

22 Mars 2019, 09:38

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Pensioni im”, si çdo javë ishte i ftuar Prof. Dr. Fadil Kepi. Eksperti i mirënjohur i problematikave të pensioneve ka sqaruar këtë javë çështjen e pensioneve ushqimore. Profesor Kepi ka sqaruar se çfarë janë pensionet ushqimore, kush i përfiton ato dhe çfarë dokumentesh duhen për të fituar një pension ushqimor. Më pas eksperti ynë u është përgjigjur pyetje live nga qytetarët në Report TV për problematika të ndryshme që ata kanë rreth çështjeve të pensioneve.

Sot do të flasim për pensionet ushqimore. Çfarë janë pensionet ushqimore? Kush i përfiton ato? Kjo është një temë delikate sepse kemi të bëjmë me raste të veçanta, siç janë divorcet në familje dhe përfitimi i pensionit ushqimor prej fëmijëve.

Sipas nenit 192 të Kodit të Familjes, i cili është botuar në “Fletoren Zyrtare”, pensionet ushqimore janë detyrime financiare që kanë prindërit ndaj fëmijëve, kur ata divorcohen, por që i ka edhe bashkëshorti ndaj bashkëshortes apo bashkëshortja ndaj bashkëshortit. Janë detyrime familjare, të cilat i kanë edhe fëmijët ndaj prindërve të tyre, pra fëmijë që janë në punë dhe me të ardhura të mira, por që prindërit e tyre, për arsye të ndryshme, mund të jenë pa pension e pa të ardhura të tjera për të jetuar. Atëherë, ligji i detyron këta fëmijë, që nga të ardhurat e tyre, të ndihmojnë prindërit e tyre. Po kështu janë edhe detyrime financiare edhe për prindërit, të cilët janë në marrëdhënie pune dhe braktisin fëmijët e tyre. Problemi mund të arrijë edhe deri në sekuestrimin e pasurisë ose me heqjen e lirisë deri në 3 muaj.

Siç e thashë këto janë përcaktuar në Kodin e Familjes. Ka edhe përjashtime, për faktin se pensionet ushqimore nuk caktohen nga Sigurimet Shoqërore, megjithëse quhen pensione. Këto pensione caktohen nga gjykatat, sipas të ardhurave që kanë bashkëshortja dhe bashkëshorti, të cilët divorcohen. Marrim disa shembuj konkretë: p.sh. dy bashkëshortë divorcohen dhe kanë një fëmijë të mitur. Në përgjithësi, fëmija në moshë të mitur i lihet nënës. Në moshën 10-vjeçare e lart, fëmijës i merret mendimi se me kë dëshiron të jetojë.