GJKKO dënon me 6 muaj burg ish- gjyqtarin Luan Daci! I konvertohet në 12 muaj shërbim prove

1 Dhjetor 2020, 15:32 | Përditesimi i fundit: 2020-12-01 15:34:32

TIRANË- Ish-gjyqtari Luan Daci është zyrtari i parë i cili dënohet nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Në seancën e zhvilluar ditën e sotme, gjyqtari Sandër Simoni ka dënuar me 6 muaj burg, dënim i cili i konvertohet në 12 muaj shërbim prove, ndonëse SPAK kërkoi 1 vit burg. GJKKO e ka cilësuar fajtor ish-gjyqtarin, duke argumentuar se përmes deklarimit të rremë ai ka mundur të zgjidhet gjyqtar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA). Gjyqtari ka urdhëruar që Daci të mos e kryejë dënimin me burg, ndryshe nga sa kërkoi SPAK, ku ish-gjyqtari duhet të mbajë kontakte me shërbimin e provës si dhe nuk duhet të ketë kontakte me persona me rekorde kriminale.

"SPAK solli për gjykim çështjen numër 66. SPAK e akuzon Dacin për falsifikim dokumentesh. Më 3 shkurt 2017 Luan Daci ka aplikuar te Avokati i Popullit për t'u bërë anëtarë i KPA. Daci është pyetur në parlament pse është larguar nga Gjykata e Tiranës. Ai ka bërë deklarim të rremë pasi në 1997 KLD e ka shkarkuar dhe jo larguar me dëshirë. Daci pretendon se nuk i është kërkuar kjo e dhënë, por nga dokumentet del që e ka dorëzuar, vetëm vërtetimin e dhomës së Avokatisë. Duke paraqitur dokumentet të rreme, Luan Daci ka përfituar duke u bërë anëtarë i KPA-së. Ka fakte dhe është vepër penale dhe Daci i ka konsumuar këto sipas nenit 186/1 të Kodit Penal", mësohet të ketë thënë gjyqtari Sandër Simoni në argumentet e dhëna për vendimin.