Drejtuesit e makinave të cilat kanë xhamat e pasëm të errët mund të kenë një 'shpëtim' nga gjobat. Pak ditë më parë Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor njoftoi se xhami i pasëm mund të errësohet me material xhami ose me qese/film, deri 75%.
Ndërkohë në lidhje me ankesat për gjobitjen për shkak të xhamave të zinj, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shpreh sot se problemi i ngritur nga qytetarët do të gjejë zgjidhje efikase shumë shpejtë.
Në këtë interpelancë u theksua se institucionet përkatëse po bashkërendojnë punën për t’i ofruar qytetarëve një standard të qëndrueshëm që i shërben përmirësimit të jetës dhe sigurisë. Ministrja deklaroj se publiku do të njoftohet nga sot e tutje, se cilat do të jenë hapat që do të ndërmerren për ta zgjidhur këtë problem në mënyrë shterruese. Sipas Ballukut xhamat e zinj do të lejohen nëse janë në konform me rregullat ne të licensuar nga një servis i autorizuar.
“Kjo është një histori e vjetër që ndodh me drejtuesit e mjeteve dhe rregulloret që vijnë sipas standardeve të BE-së. Kemi një precedent pasi jo vetëm Shqipëria, por edhe vende të tjera e kanë shfaqur këtë problem të xhamave të errët në automjete, për arsye të sigurisë kombëtare dhe luftës kundër krimit të organizuar”, – tha Balluku.
Ministrja solli shembullin e Portugalisë që hasi problematikë kur vendosi për të mos lejuar xhamat të cilat kishin tejdukshmëri të reduktuar dhe me ligj në Portugali u vendos që shikueshmëria e xhamave duhet të ishte 100% .
