Gjonaj u kërkoi deklarim të të dhënave, përmbaruesit e hedhin në gjyq: Po shkelni ligjin

10 Gusht 2020, 12:52

TIRANË-  Verifikimi i përmbaruesve privat gjyqësorë, i ngjashëm me vettingun në gjyqësor dhe polici ka përfunduar në dyert e gjykatës. Report Tv siguron një kopje të padisë së përmbaruesve privat të cilët i kërkojnë gjykatës të çbëjë urdhërin 190 datë 20 qershor 2020 të ministres Etilda Gjonaj.

Në këtë urdhër siç nga përmbaruesit privat kërkohet: 2 fotografi, ID, formular vetdeklarimi, formular vetdeklarimi të gjëndjes gjyqësorë, formular vetdeklarimi për fillimin e punës, masat e dhëna ndaj përmabaruesve ndër vite.  Por këto kërkesa sipas dhomës kombëtare të përmbaruesve janë në kundërshtim me ligjet në fuqi e për këtë shkak ata i janë drejtuar Gjykatës Administrative Tiranë.

Një ndër argumentat e dhomës në padinë depozituar më 21 korrik 2020 është edhe fakti se Ministria e Drejtësisë nuk është konsultuar me ta si përfaqësues të përmbaruesve privat për listën e dokumentave që duhen dorëzuar për efekt rifreskim dosjesh.

Më tej, përmbaruesit shprehehen se neni 88/7 i ligjit 26/2019 për shërbimin e përmbaruesve privat nuk ka autorizuar ministrinë të kryejë vettingun e tyre nëpërmjet formularëve të vetdeklarimit, por ka autorizuar përditësimin e të dhënave personale të çdo përmbaruesi.

Ata rendisin si argument se të dhënat personale Ministria e Drejtësisë si institucioni që licenson përmbaruesit duhet t'i kishte prej 10 vitesh, por ka qenë pikërisht ky institucion që e ka neglizhuar këtë proces.