Deputeti i opozitës Ralf Gjoni tha gjatë fjalës së tij në Kuvend se në ditën e tërmetit ka qenë në Durrës që në orën 7 të mëngjesit tek pallati ku ndërroi jetë Diena Meçaj bashkë me vajzën Esiela dhe nënën Roza. Gjoni tha se forcat e shpëtimit po punonin në kushte jo të mira dhe kishin mungesë të mjeteve të nevojshme. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përpiqet të personalizojë tragjedinë kombëtare duke bërë show në ekrane, ndërkohë që duhet të jetë pranë qytetarëve.
"Në 7 të mëngjesit kam qenë tek pallati i shembur ku po kërkohej mundësi për të shpëtuar Dienën me vajzën e vdekur në krahë. Ishte shumë e dhimbshme të qëndroje aty. Jam mahnitur nga gatishmëria e forcave të shpëtimit. Ky nuk është momenti që ne të bëjmë politikë të pisët.Tërmeti nuk pyet as për të majtë dhe as për të djathtë. E kam frenuar veten nga sulmet ndaj qeverisë për shkak se mendoj se fokusi ynë duhet të jetë tek të prekurit nga tërmeti. Po vjen momenti që ne të vazhdojmë të kërkojmë përgjegjësit. Duhet të jemi të vëmendshëm ndaj masave të marra apo të pa marra për të menaxhuar këtë situatë. Njerëzit thonë në dorën e Zotit. Njerëzit thonë që nuk ka shtet. Unë atë ditë kam parë heronj në detyrë shtetërore por shtetin nuk e pashë. Atë ditë që mbërrita në Durrës u desh një orë e gjysmë për të gjetur matrapik. Nuk kishte doreza, nuk kishte kaska. Ata njerëz që lanë familjet e tyre dhe shkuan atje janë heronj të vërtetë. Shteti nuk ishte por heronjtë ishin atje. Në stadiumin e Durrësit mungonin batanijet në ditën e parë. Pse kishte mungesa që shtetit të përgjigjej. Çfarë masash janë marrë për inspektuar dhe mbroktur qytetarët pas tërmetit të shtatorit. Njerëz kishte por nuk kishte mjete, nuk kishte organizim. Nuk dua t'iu sulmoj por shteti ishte rrumpallë. Më rrumpallë se këto ditë nuk kam parë në 20 vite Shtet në Shqipëri. Nuk mund të kalojmë asnjë projekt ligj nëse vëmendja jonë nuk është te qytetarët. Në dorën e Zotit ishim, në dorën e shtetit nuk ishim. Në çdo ekran shohim vetëm Edi Ramë, ai duhet të japë llogari pse Shqipëria nuk ka një shërbim emergjencash. Të nderuar kolegë, ju ftoj t'i thoni Ramës të mos bëjë populizëm në këto momente dhe të mos personalizojë dramën kombëtare. Duhet t'i gjendemi afër qytetarëve. Duhen parë të gjithë kryetarët e bashkive që kanë dhënë leje ndërtimi në ato zona ku nuk duhet të ishte", tha Gjoni.