Gjoni: SHBA-BE të mos investonte aq shumë për konsenus Rama-Meta-Berisha për Kodin Zgjedhor

6 Tetor 2020, 18:54

TIRANË- Deputeti i opozitës së re, Ralf Gjoni ka folur me emra, duke thënë se është zhgënjyer nga ndërkombëtarët sa i përket përfshirjes së tyre për reformën zgjedhore. Gishtin e drejton nga SHBA dhe BE, sipas së cilit përpjekjet e tyre janë përqendruar vetëm që tre kryetarët e partive kryesore të arrijnë konsensus. Kritika ka pasur edhe për Komisionerin për Zgjerim, Oliver Varhelyi i cili tha se ka pasur progres dhe janë reflektuar rekomandimet e OSBE-ODIHR. Për Gjonin, kjo nuk është aspak e vërtetë.

"Si mund ta quash progres siç e thotë Varhelyi, si janë përmbushur rekomandimet e OSBE-ODIHR në Reformën elektorale?. Nuk mund ta mohoj që jam i zhgënjyer me mbështetjen e opsionit të stabilokracisë në kurriz të demokracisë. Do doja një angazhim më të fortë të SHBA dhe BE, dhe më pak angazhim për të bërë bashke tre persona që merren vesh një shkelje syri në ajër. Rama, Meta dhe Berisha ka një sintoni të plotë për Kodin elektoral dhe për ta mbajtur sistemin të mbyllur për të ruajtur stabilokracinë, SHBA dhe BE të jenë më të forta më të guximshme dhe më të angazhuara për të na mbshtetut ne që kemi guximin e brendshëm për t'i bërë ballë kësaj sistemi", tha Gjoni.

I ftuar në hapësirën live të pasdites në Report Tv, Gjoni ka shprehur hapur një zhgënjim edhe për deputeten Rudina Hajdari, e cila nuk dha votën e saj kundër ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, por abstenoi. " I habitur që abstenoi, prisja të ishte kundër ashtu siç kam pritur që vota e saj të ishte kundër 5 qershorin. Marrëdhënie ime me Rudinën shumë korrekte dhe e mirë, kam një zhgënjim sa i përket 5 qershorit, nuk mund të  ndryshoj mendim se ndonjë përfaqësues i huaj në emër të stabilokracisë", tha Gjoni.

Për të, dita e djeshme, ku u votua ndryshimet në Kodin Zgjedhor  është një pikë kthese, ku gjithçka do të jetë një realitet tjetër, qoftë sa i përket raportit me opozitën, por edhe mazhorancën.