Gjuha shqipe në të gjitha universitetet, profesorët Sinani dhe Sula: Gjendja është alarmante

2 Prill 2019, 18:06

Kryeministri Edi Rama u propozoi pedagogëve para disa ditësh, se në të gjitha universitetet do të futet, si lëndë më vete edhe gjuha shqipe. Niveli i përdorimit të saj, në drejtshkrim edhe në të folur, është në gjendje alarmante. Ky shqetësim është ngritur herë pas herë edhe nga akademikët, albanologët dhe pedagogët e gjuhës shqipe në universitet. Por, çfarë mendojnë për këtë propozim akademiku Shaban Sinani dhe Përgjegjësia e Departamentit të Letërsisë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Lili Sula?

 “Duke qenë se gjendja e të përdorurit të shqipes standarde, të njehsuar dhe në funksionet publike është problematike, natyrisht që ideja e qeverisë, e kryeministrit, për ta bërë pjesë të programeve universitare edhe gjuhën shqipe, është shumë e mirëpritur. Është shumë e mirëpritur, së paku për të zgjidhur problemin e dinjitetit, të prestigjit të gjuhës shqipe, të përdoruesve të shqipes në këtë nivel, se mesa mund të kuptoj, nuk mund të zgjidhë të gjitha problemet e gjuhës shqipe të njëjësuar thjesht përfshirja në programet universitare. Kjo është një çështje mjaft e komplikuar”, shprehet akademiku Shaban Sinani.

Edhe për Sulën, kjo është një nisëm, që duhet përgëzuar, në të gjithë situatën problematike prej disa muajsh, ku gjendet arsimi i lartë edhe raportet që ka shteti me universitetet.

“Kur them që kjo nisëm duhet përgëzuar kam parasysh se ideja, që do të futet në shkollat e larta, sepse për t’u futur kërkon punë teknikisht të vështirë për t’u realizuar. Por, duke parë situatën e studentëve që na vijnë në fakultete, edhe në degën e Gjuhë -Letërsisë, kuptohet që situata e gjuhës shqipe, e folur edhe e shkruar është alarmante. Jemi në një nga vitet më të vështira të zotërimit, njohjes dhe të përdorimit të gjuhës amtare”, thotë Lili Sula.

Sinani dhe Sula mendojnë se gjendja e gjuhës është alarmante, por mbrojtja e saj nuk është vetëm çështje programesh universitare. 

“Futja e gjuhës shqipe në shkollimin universitar, sigurisht që është gjë pozitive, por universiteteve shqiptare u mungon editoria. U mungon specialiteti i editorisë. Edhe kryeministri vet është shprehur për të bërë të detyrueshme praninë e redaktorit në të gjitha institucionet e administratës publike, si mbrojtësit e gjendjes së njëjësuar të shqipes. Gjë që në një pjesë të mirë të institucioneve, gjykuar sipas korrespodencës, që na vjen për shkak të detyrës nuk është realizuar. Nuk është realizuar, sepse sipas asaj që unë mendoj, redaktimi sot për sot në Shqipëri është një çështje vetëformimi apo vullnetare”, vijon Sinani.

Ndonëse, Sula është një nga ata persona kritik në lidhje me strategjitë, që ka ndjekur qeveria për arsimin e lartë, për botën universitare edhe atë akademike ajo shprehet se: “E mbështesë këtë nisëm, duke shpresuar se do të bëhet. Por ka dy probleme, e para, nuk është mision i universiteteve për ta kryer këtë detyrë, është mision i arsimit parauniversitar. E dyta, mund të jetë një nisëm që do të zgjasë pak kohë. E treta, mund të ketë kurse të tjera që mund ta bëjnë këtë gjë. Edhe e katërta, por që është më e rëndësishmja, në pikëpamje të idesë edhe të praktikës së kësaj pune, ka të bëjë me  ndërhyrjen në kompetencat edhe në liritë akademike universitare. Ligji i arsimit të lartë, ua njeh institucioneve të arsimit të lartë futjen e lëndëve të reja, por kur kjo vjen nga kryeministri dhe qeveria, sigurisht që shqetësimi qëndron, por mënyra për ta aplikuar është shumë e vështirë”.

Në vitin 2005 Akademia e Shkencave ka propozuar një akt nënligjor, për rregullimin e përdorimit të shqipes në institucionet zyrtare.

“Për përdorimin e shqipes duhet një marrëveshje mbarëshqiptare, jo thjesht një marrëveshje shkencore, por edhe një marrëveshje mbarëpranimi. Nuk mund që të ofrohet një zgjidhje ligjore, pa e zgjidhur problemin e të vetpranuarit të asaj zgjidhje që do të miratohet. Por një vendim nga qeveria, një akt nënligjor që nuk i kapërcen problemet përtej kufijve shqiptar, por që mund që t’i kapërcente problemet e shqipes në mënyrë të pjesshme brenda nesh”, përfundon Sinani.

Profesorët mendojnë se atë që nuk ka sistemi parauniversitar, ndoshta për një periudhë të caktuar mund ta bëjnë universitetet.

    No videos found.