Gjykata burg shoferit të ambulancës që aksidentoi 10-vjeçarin në Kakavijë: Fëmija më preu rrugën

18 Gusht 2020, 11:04 | Përditesimi i fundit: 2020-08-18 14:18:32

TIRANE- Admir Golemi, shofer i ambulancës që përplasi për vdekje fëmijën 10-vjeç në Kakavijë do të qëndrojë në burg pa afat. Masa e sigurisë është dhënë ditën e sotme nga gjykata e Gjirokastrës.

Në kulmin e kaosit që u krijua në Kakavijë nga radhët e gjata 10-vjeçari me origjinë nga Lezha që po priste me prindërit për të kaluar në Greqi u përplas për vdekje nga ambulanca në afërsi të kthesës së fshatit Bularat.Gazetari i Report Tv në Gjirokastër Piro Nase mëson se shoferi ka shpjeguar para gjyqtarit rrjedhën e ngjarjes sipas versionit të tij duke deklaruar se ishte fëmija 10-vjeç i ka prerë rrugën. "Ai doli furishëm nga krahu i majtë i rrugës" është shprehur ai. Po sipas shoferit shpejtësia e ambulancës në momentin e aksidentit ishte 75 km/ h.