Gjykata e Durrësit e lë në burg, grabitësi serial: Jam penduar...kisha pirë drogë dhe kam qenë shumë në ankth

19 Shkurt 2020, 18:21

DURRËS- Me të njëjta rroba me të cilat u arrestua, grabitësi serial Astrit Thaçi është njohur me vendimin e gjykatës e cila e ka lënë në burg për katër veprat penale “Vjedhja me armë, e mbetur në tentativë", "Plagosja e rëndë me dashje”, Vjedhja me dhunë" dhe “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”. Në seancën e zhvilluar ditën e sotme, Thaçi është shprehur se është penduar për atë se çfarë ka bërë duke thënë se i ka kryer nën efektit e drogës dhe ka pasur shumë ankth.

"Kam qenë nën efektin e drogës, kam qenë shumë në ankth", mësohet të ketë thënë ai. Ndërkohë që është lënë në "detyrim paraqitje" e dashura e tij, Adela Berisha, për të cilën avokati shprehet se është thjeshtë viktimë e këtij procesi dhe se akuza për "Përkrahje të autorit të krimit" nuk qëndron. Në dëshminë që Report Tv zbardhi vetëm pak orë para se të niste gjyqi, Adela është shprehur se e dinte për jetën që i dashuri i saj bënte dhe se i kishte kërkuar shumë herë që të hiqte dorë, por nuk e kishte dëgjuar. Pavarësisht kësaj, për shkak të dashurisë së ndjente nuk mundi ta linte.