Gjykata e Lartë e cila pas Vetting-ut dhe dorëheqjeve ka mbetur me 4 anëtarë nga 19 që duhet të ketë sipas organizes, është përfundimisht në kolaps edhe me cështjet e prapambetura në pritje për t’u shqyrtuar.
Administrata e kësaj gjykate ka bërë publike këtë të mërkurë shifrat e backlock-ut të cilat tregojnë se viti 2018 është mbyllur me 28863 dosje që flenë në bodrumet e kësaj gjykate.
Sic dhe shihet nga kjo tabelë rezulton se 2018 është viti rekord me dosje të prapambetura dhe të pashqyrtuara me trefishin e atyre që kanë qenë në 2015. 2015 regjistron 13048 dosje për t’u rritur më pas ky stok me 16127 në 2016 dhe me 2200 në 2017.
Ndërsa viti ku rezulton se Gjykata e Lartë ka qenë më eficente në dhënie vendimesh përsa i përket sasisë është ai 2015 me 7630 dosje të përfunduara me vendim dhe më i ulëti, 2018 me vetëm 1673 dosje të përfunduara.
Me mandate në Gjykatën e Lartë kanë mbetur kreu i saj, Xhezair Zaganjori, Edmond Islamaj, Medi Bici dhe Ardian Dvorani. Ndërsa postulati “Drejtësi e vonuar, drejtësi e mohuar”, pritet të bëhet më i prekshëm në këtë Gjykatë në një kohë që gjyqtari Medi Bici është larguar duke u bërë pjesë e KLGJ-së, që kur kaloi Vettingun.
Në pritje të vendimit final për Vetting-un nga Kolegji i Posacëm i Apelimit janë kreu i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori dhe gjyqtari Edmond Islamaj. Në rast të shkarkimit të tyre, Gjykata e Lartë mbetet vetëm me një gjyqtar dhe ai është Ardian Dvorani që njëherazi është zgjedhur edhe Kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.