Gjykata e Tiranës shpall fajtor Bashën për shpifje, Balla: Vendim historik

21 Janar 2019, 13:38 | Përditesimi i fundit: 2019-01-21 19:56:17

TIRANE-Gjykata ka dënuar kryetarin e PD-së, Lulzim Basha me 50 mijë lekë gjobë për shpifje ndaj Taulant Ballës, në lidhje me çështjen e 'Toyota Auris'. Taulant Balla e paditi Lulzim Bashën për shpifje në qershor të vitit të kaluar, lidhur me deklaratat që ky i fundit bëri në Kuvend se shuma e 3.4 milionë eurove e zbuluar ne dy makinat ‘Toyota Yaris’ i përkiste kreut te grupit socialist. Taulant Balla kërkoi dënimin e Lulzim Bashës pas akuzave, ndërsa kryedemokrati përmes avokatëve pafajësi. Prokurori Agron Gjana në seancën e kaluar kërkoi pushimin e çështjes, pasi sipas tij, Basha ka thënë opinione dhe jo akuza nga foltorja e Kuvendit dhe se nuk ka elementë të veprës penale.

Por gjyqtari i Gjykatës Penale të Tiranës Gerd Hoxha vendosi sot shpalljen fajtor dhe dënimin e Bashës me 50 mijë lekë gjobë. Pas vendimit, kryetari i grupit të Partisë Socialiste Taulant Balla deklaroi se dënimi i Bashës pikërisht në datën 21 Janar është një ogur i mirë edhe për ndëshkimin e krimit shtetëror të 21 janarit, të 8 viteve më parë ku u vranë katër protestues para Kryeministrisë. Balla e quajti vendimin e sotëm historik ndërkohë që paralajmëroi kreun e PD-së se do të përballet dhe me një padi tjetër, këtë herë civile, ndërsa shuma, shtoi ai do të shkojë për Fondin e Edukimit për të ndërtuar një çerdhe. 

Sot është data 21 janar dhe le të jetë ky një ogur i mirë për ndëshkimin përfundimtar edhe përsa i përket akuzave qoftë ndaj tij apo Berishës për krimin shtetëror të tetë viteve më parë në bulevardin e Kombit. Ne politikanët duhet të kuptojmë se përpara se të jemi politikanë jemi qytetarë dhe duhet të trajtohemi njëlloj. Ky është një vendim historik për të cilin ne politikanët duhet të reflektojnë gjatë, i pari është Basha që duhet të reflektojë. Sot është shpallur fajtor. Do i kërkoja Bashës që të heqin dorë nga kjo politikë bajate. Drejtësia e re ka filluar që të japë efektet e para dhe kam besim që do të hetojë sikur duhet krimin e 21 janarit dhe do të jetë gjykata si institucion i pastruar dhe që i ka kaluar procesin e vettingut që do të japë vendimet e merituara për fajtorët e 21 janarit. Le të jetë ky një vendim i parë, që të shërojë politikën nga çështjet e shpifjeve. Të jeni të sigurt që 21 janari do të hetohet dhe përgjegjësit do të hetohen” tha ai.

    No videos found.