Gjykata lë në burg pronarin e hotelit në Tiranë që strehoi klandestinë! Fatos Dusha: Nuk di për trafikun

13 Janar 2021, 10:57 | Përditesimi: 13 Janar 2021, 16:13

Gjykata e Vlorës ka dhënë masën e sigurisë Fatos Dushën, i arrestuar për strehimin e disa prej klandestinëve sirianë që u gjetën në detin Adriatik pak ditë më parë

Fatos Dusha u arrestua në Tirane si personi që kishte strehuar fillimisht sirianët. Vetë Dusha është shprehur para gjykatës se nuk ka dijeni për trafikun.

Nuk kam asnjë lidhje me trafikantët, ne jemi një hostel. Vijnë shtetas të huaj për 6- 7 € krevati dhe flenë.  Më akuzojnë si trafikant ndërkohë që kam tre muaj pa paguar ujë e drita.  Edhe 6 muaj më parë më erdhi kontroll drejtoria e policisë së Tiranës, sirianët ia dërgojnë 'locationin' njëri tjetrit se është lirë. Skam asnjë dijeni për trafikun apo lidhjet,  unë ushqehem më këtë punë", ka thënë Dusha para gjykatës.

9 klandestinë, të cilët do të dërgoheshin drejt Italisë në mënyrë të paligjshme janë gjetur të strehuar në hotelin në pronësi të Fatos Dushes. Ai u arrestua në Tiranë, nën akuzën se kishte strehuar 50 sirianët e arrestuar më parë në Vlorë, ndërsa gjatë kontrolleve në hotelin në pronësi të tij në Tiranë, u gjetën edhe 9 klandestinë të tjerë.

Më 8 janar një gomone me 50 klandestinë sirianë dhe 3 trafikantë shqiptarë po tentonin të ikin drejt Italisë, por ka pësuar avari në rrethana ende të paqarta. Një telefonatë SOS “po mbytemi” nga një numër shqiptar ka çuar rojën bregdetarë gjatë natës në grykëderdhjen e lumit Vjosë pranë fshatit Poro.

Emigrantët e paligjshëm u shpëtuan, por 3 trafikantët shqiptarë sipas burimeve u hodhën në det nga anija e rojës bregdetare dhe u zhdukën në afërsi të Triportit, Vlorë.

b.ha./Shqiptarja.com