Gjykata rrëzon urdhërin e Çakos, Ballili fiton ndaj policisë

29 Prill 2018, 14:19

Policia e Shtetit humb sërish gjyqin me kompanitë e sigurisë në pronësi të vëllezërve të Klement Balilit, personit të kërkuar nga drejtësua shqiptare e greke si pjesë e grupit kriminal të narkotrafikut. 

Report Tv ka siguruar vendimin e Kolegjit Administrativ në Gjykatën e Lartë ku pak javë më parë është vendosur mospranimi i rekursit nga policia duke lënë në fuqi vendimin që pezullonte vendimmarrjen e Haki Çakos për heqje të licencave për kompanitë private të sigurisë në pronësi të familjes Balili.

Policia e shtetit bëri rekurs në Gjykatën e Lartë, ku kërkoi që vendimi i dhënë më parë nga Gjykata Administrative e shkallës së parë në favor të kompanive SHPSF BALILI-CO SH.P.K., SHPSF SB-SCURITY SH.P.K. dhe BASHKIM BALILI e SELIM BALILIt të rrëzohej. Por ky rekurs nuk u pranuar duke lënë në fuqi vendimin e datës 06.02.2018 të dhënë nga Gjykata Administrative, vendim i cili pezulloi urdhërin e ish-Drejtuesit të Policisë Haki Çako për heqjen e licencave këtyre kompanive.

Kompanitë e mësipërme rezultojnë se operojnë në fushën e sigurisë private dhe kanë në ruajtje një sërë objektesh duke përfituar para dhe nga tenderat publik duke ruajtur dhe institucione si prokuroria apo objekte të rëndësisë së veçantë.

Ky vendim që ka rrëzuar rekursin e Policisë së Shtetit është marrë në cilësinë e kryesuesit nga kreu i Gjykatës së Lartë, Xhezahir Zaganjori dhe anëtarë Admir Thanza, Artan Zeneli, Ardian Dvorani dhe Medi Bici.

Ndërkohë Klement Balili prej më shumë se një viti është në kërkim nga policia shqiptare dhe ajo greke pasi është personi i dyshuar si pjesë e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve. Akuzë të cilën vetë Balili e mohoi pak ditë pas letërporosive për arrestimit të tij dhe nga ajo kohë ish kreu i transporteve në Sarandë ska asnjë dalje publike dhe është i kërkuar.

    No videos found.