Gjyqet do të vijojnë të shtyhen për shkak të COVID-it, KLGJ: Seanca vetëm për urgjentet

21 Prill 2020, 12:56 | Përditesimi i fundit: 2020-04-21 15:32:13

TIRANE-Gjyqet do të vijojnë që të shtyhen me përjashtim të rasteve të ngutshme apo urgjente. Pavarësisht se vendimi i datës 7 prill ishte deri nesër për shtyrjen e gjyqeve, pra në datë 22 prill, Këshilli i Lartë Gjyqësor pritet që të zgjasë afatin, pasi ende situata nga koronavirusi nuk ka kaluar, raporton gazetari i Report Tv Arsen Rusta.

"Duke marrë shkas nga vijimi i situatës së fatkeqësisë natyrore në vend e krijuar nga virusi COVID-19, Këshilli i Lartë Gjyqësor mori vendimin për të vijuar pezullimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore në të gjitha gjykatat në Republikën e Shqipërisë, deri në datën 22 prill 2020, me përjashtim të çështjeve urgjente. Këshilli i Lartë Gjyqësor i kushton rëndësi parësore sigurisë së publikut, gjyqtarëve dhe të gjithë punonjësve të tjerë të gjykatave. Këto janë kohë të paprecedenta për të gjithë botën dhe ne, ashtu si dhe ju, jemi duke punuar për të gjetur rrugën më të mirë për të ecur përpara.