"Gjysmën e njerëzve i merr zvarrë, aty plas derri jo robi..." Çfarë ndodh çdo ditë në udhëtimet me autobus në Tiranë

30 Tetor 2019, 17:27

TIRANE - Autobusët janë zgjidhja më e shpeshtë e transportit që qytetarët e Tiranës përdorin. Por së fundmi janë kthyer në një shqetësim pasi mosrespektimi i orareve që sjell dhe grumbullimin e qytetarëve nëpër stacionet e autobusëve bëhet shkak që ata të vonohen për në punë dhe në shkollë.

Qytetarët shprehen se në mëngjes dhe gjatë orarit të drekës autobusët vonohen.

"Ai i pari erdhi mbas nja 25 minutash, tani presim këtë tjetrin të vij pas 15 minutash prapë.  Nuk kishte shanse të hipje, autobusi dhe ata që hipën i mori zvarrë gjysmën, kështu që është e kotë.

Ka 10 minuta.

10 minuta.

Nuk patët mundësi të hipnit tek autobusi i parë?

Jo ishte plot , ishte i mbushur.

Ndodh shpesh?

Ndodhë me sa kam parë unë.

Bëhen shkak për vonesa në punë?

Po, po ja për shkollën e djalit po.

Me sa minuta vonohen përgjithësisht?

Çerek ore me sa kam parë unë çerek ore po.

Eh ç'e pyet, bërrnut janë, hyn hajduti brenda, pardje rrahën dy kalamaj të vegjël se i morën celularin. Vonesë ka goxha, për tu vonuar vonohen. Ne punën më të madhe e kemi në autobus sesa atje ku punojmë.

Janë shumë të ngarkuar dhe me shumë vonesë.

Ka autobusë që vonohen rrugës.

Njerëz po, në kohën e mëngjesit që shkojnë fëmijët në shkollë, edhe në kohën  kur dalin nga shkolla shumë. Kur e shikojmë keq ja mbathim në këmbë për të marrë kalamajt se s'i lëmë dot.

Kushtet e autobusit, nuk kanë kushte. Tani është fundi i tetorit aty plas, plas derri jo robi”-u shprehën disa prej qytetarëve.

Vonesat nuk ndodhin vetëm në linjën e Unazës por dhe në linjat e tjera të transportit urban që qytetarët përdorin për të lëvizur brenda kryeqytetit.

Por dhe në rastet kur autobusët arrijnë në stacion qytetarët e kanë të pamundur që të hipin pasi nuk ka vend. Shpesh herë ata janë të detyruar të presin për autobusin e radhës.

Kushtet e transportit urban kanë qenë një problem  prej kohësh për qytetarët e Tiranës që ende nuk po marrin zgjidhje.