Goditet mafia famëkeqe 'Sacra Corona Unita', nën hetim tre shqiptarë

8 Janar 2019, 20:17

ITALI- Tre shqiptarë janë vendosur nën hetim, në kuadër të aksionit antidrogë që është zhvilluar gjatë mëngjesit të sotëm nga policia e Leçes ndaj personave të lidhur me mafien famëkeqe “Sacra Corona Unita”.

Mediat italiane raportojnë se bëhet fjalë për Eltian Isufaj, 30 vjeç, me banim në kampin e romëve “Panareo” në Leçe; Soni Hajdari, 28 vjeç, me vendbanim të njëjtë dhe aktualisht nën arrest shtëpiak; Krenar Skendaj, 46 vjeç, i cili aktualisht ndodhet i burgosur në Campobasso.

Prokuroria Antimafia ka lëshuar 16 urdhër-arreste për trafik droge dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale ndaj personave të lidhur me “Sacra Corona Unita”. Sipas hetimeve, organizata kriminale vepronte në Leç e Brindisi dhe se anëtarë të saj, në kuadër të mbarëvajtjes së trafikut të drogës, kanë ushtruar presion së fundmi edhe ndaj familjes së një bashkëpunëtori të drejtësisë italiane.

Gjatë aksionit të koduar “Vele”, ku janë përfshirë mbi 100 efektivë si dhe një helikopter, janë sekuestruar sasi të ndryshme droge, të llojit kokainë, heroinë, hashash e marijuanë.