Goditja e tretë/ Burrave që rrahin gratë nuk do t’u pranohet garancia pasurore për t’i shpëtuar burgut

24 Janar 2020, 13:57

TIRANË - Burrat e denoncuar dhe të akuzuar për dhunë ndaj garave do të përjashtohen nga mundësia e ofrimit të garancisë pasurore për t’i shpëtuar arrestit me burg, deri në përfundimin e gjykimit. Kjo është masa e tretë shtrënguese dhe ndëshkuese e propozuar nga deputetet e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka dhe Eglantina Gjermeni, për të gjithë ata që ushtrojnë dhunë në familje. Dy deputetet kanë depozituar në Kuvend një tjetër nismë ligjore, e treta brenda muajit janar 2020, e cila ndryshon nenin 236 të Kodit të Procedurës Penale, për garancinë pasurore. Projektligji i shton një pikë nenit 236, sipas të cilës ‘garancia pasurore nuk zbatohet për veprat penale të dhunës në familje’. Kodi i Procedurë Penale në fuqi parashikon mundësinë që gjykata të zëvendësojë masën e sigurimit arrest në burg ose arrest në shtëpie për të akuzuarit për dhunë në familje, duke urdhëruar lirimin e personit, nëse ky i fundit ofron garanci pasurore. Projektligji i propozuar nga dy deputetet ua heq këtë mundësi burrave.

Për dhunën në familje dënimi i parashikuar në Kodin Penal në fuqi nuk krijon bazë të përshtatshme për marrjen e masës së sigurisë arrest me burg, për shkak të shkallës së ulët të dënimit. Për këtë arsye, dy deputetet kanë propozuar një tjetër nismë në Kuvend, për ndryshimin e Kodit Penal, për të rritur dënimin për dhunën në familje. Nisma ligjore parashikon rritjen e dënimit nga një deri në pesë vjet për ata që rrahin dhe ushtrojnë presion psikologjik mbi gratë, si dhe dy deri në 10 vjet burg për përsëritësit. Me këtë ndryshim, të gjithë dhunuesit rrezikojnë masën paraprake arrest me burg. Ndërkaq, nëse Kuvendi do të miratojë edhe propozimi i tjetër, atë të përjashtimit nga garancia pasurore, burrat që dhunojnë gratë, por edhe gratë që mund të dhunojnë burrat, do të qëndrojnë në burg, deri në përfundim të gjykimit.