Goga Basket përmbys serinë e takimeve finale, mposht Teutën dhe afrohet me titullin

13 Maj 2019, 17:39

Goga Basket është skuadra fituese e finales së tretë të “play-off-it” në basketboll për meshkuj. Kundër Teutës ekipi i drejtuar nga Melzin Lazimi fitoi me rezultatin 79-70, duke përmbysur serinë e takimeve finale që tani shkon në 2-1 për Goga Basket.

Në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga” skuadra vendase pothuajse dominoi të gjithë takimin. Kjo falë grupit pasi 6 lojtarë arritën të kapin kuotën e 10 pikëve, ndryshe nga Teuta ku spikatën individët. Pas një nisje të barabartë Goga fillon e fiton terren dhe e mbyll në avantazh peroidën e parë, 23-19 me pikë.

Në periodën e dytë ka më shumë ekuilibër në parket, ku pavarësisht se Teuta tenton të shkurtojë diferencën ndodh e kundërta. Pas pushimit miqtë tentojnë sërish, por nuk arrijnë deri në atë pikë sa të rrezikojnë Gogën e cila vijon me lojën e saj konstante.

Perioda e katërt ishte më emocionuese, pasi 2 minuta nga fundi Teuta afrohet me -5 pikë, por në pjesën e mbetur të lojës Goga administron shumë mirë dhe arrin të koleksionojë finalen e dytë. Ndeshja e radhës do të luhet të mërkurën në orën 18:00 në pallatin e sportit ‘Ramazan Njala’, ku në rast fitoreje Goga Basket do të shpallet kampione.