Gra dhe fëmijë! Pas disa orësh pritje, 170 shqiptarëve, lejohen të futen nga Greqia në atdhe

31 Mars 2020, 20:56

Mbi 170 shqiptarë, mes të cilëve gra dhe fëmijë prej disa orësh nga pasditja e sotme janë bllokuar në kufi, pasi nuk lejohen të futen në atdhe nga pala jonë në doganat e Kapshticës dhe Kakavijës. Shqipëria po përballet me një problem të ri, që lidhet me shqiptarët që duan të kthehen nga Greqia në atdhe, pasi Athina zyrtare ka mbyllur kufijtë në hyrje, por jo në dalje. Ambasada greke në Tiranë njoftoi sot se shqiptarët që duan të kthehen nuk do të pengohen, ndërsa ata që duan të qëndrojnë dhe u kalon afati 90 ditor i qëndrimit nuk do të gjobiten.

Por pas problemit të orëve të para të ditës së sotme me dy grupe, pasdite ndodhi e njëjta gjë, pasi janë bllokuar 100 shqiptarë të tjerë në Kakavijë. Emigrantët shqiptarë pasi kanë vulosur pasaportat në doganën greke nuk lejohen që të futen në Shqipëri.

Ndërkohë që në doganën e Kapshticës është e njëjta situatë. Pasdite pala jonë ka mbyllur kufirin për 70 shqiptarë, mes të cilëve gra dhe fëmijë. Pas disa orësh të gjata pritjeje autoritetet greke iu kanë komunikuar të kthehen mbrapsht në qytetet respektive ku jetojnë. Burime pranë kësaj dogane thonë se do të lejohen vetëm drejtuesit e mjeteve të tonazheve të renda, studentë që kanë mbetur andej si dhe ata me probleme shëndetësore.

Arsyeja? Hyrja e tyre pritet që të bëhet pas aprovimit që pritet nga Ministria e Shëndetësisë, pasi nuk kanë vendosur në dijeni më parë konsullatën që do të kthehen në atdhe. Ardhja e 100 shqiptarëve shihet si një rrezik potencial në rritje për sigurinë nga COVID-19. Zgjidhja pritet që të vijë në të njëjtën mënyrë si me dy grupet paradite pikërisht në Kakavijë dhe po ashtu në Kapshticë, ku shqiptarët do i nënshtrohen procedurave të kontrollit dhe të firmosin një deklaratë që do të qëndrojnë të vetëkarantinuar për 14 ditë.