Grabitet filiali i një pike kredish në Tiranë, autori i paarmatosur merr 50 mijë lekë dhe largohet me vrap

7 Janar 2020, 20:07

TIRANË  - Një grabitje ka ndodhur në Tiranë rreth orës 18:07, në rrugën "Medar Shtylla", në një zyrë që i përket një institucioni financiar për kredidhënie në shuma të vogla.

Sipas policisë një person ende i paidentifikuar dhe i pa armatosur, ka marrë një sasi parash rreth 50 mijë lekë të reja dhe është larguar me vrap.

Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes ku po bëhet edhe këqyrja e kamerave të sigurisë për të zbardhur të plotë ngjarjen dhe për të rënë në gjurmët e autorëve.

Shërbimet e Policisë "Shqiponjat", Patrulla e Përgjithshme dhe Forca e Posaçme Operacionale e DVP Tiranë në terren kanë nisur punën për identifikimin dhe kapjen e autorit, - thuhet në një njoftim të policisë.

Sipas informacioneve nga gazetarët në terren autori ishte i maskuar me një kapuç ndërkohë që dyshohet që në duar të mbante një levë.