Grabitja/ Furgoni i policisë që gjendej në pistë nuk u njoftua nga punonjësit e sigurisë së aeroportit

12 Prill 2019, 09:00

Përmasa skandaloze shkeljet e sigurisë nga kompania koncesionare e aeroportit “Nënë Tereza” gjatë grabitjes së ditës së martë. “Shqiptarja.com” mëson se Policia e Shtetit është njoftuar nga TIA me vonesë 5 minuta e 21 sekonda nga momenti i cenimit të rrethimit prej grabitësve. Jo vetëm kaq por ajo qëështë më e rëndë është fakti se gjatë kohës që po zhvillohej grabitja furgoni I policisë ishte në pistën e Rinasit, por nuk u njoftua nga stafi I ICTS nënkontraktorit që përgjigjet për sigurinë.Kështu TIA dhe ICTS nuk kanë njoftuar në kohë Policinë e Shtetit. Kjo e përsëritur edhe nga rasti i ngjarjes së vitit 2016, ku gjithashtu njoftimet kanë ndodhur me vonesë.

Nga ajo që mëson “Shqiptarja.com” operatorët e TIA kanë njoftuar shefin e komisariatit Rinas në orën 15:02’51”, pra plot 5 minuta e 21 sekonda nga momenti i cenimit të rrethimit që ndodhi në 14:57’30”, pra faktikisht kur autorët kishin dalë nga perimetri. ICTS ka njoftuar Sallën Operative të Policisë në orën 15:04’00”, pra plot 6 minuta e 30 sekonda nga cenimi i rrethimit (14:57’30”) dhe rreth 2 minuta me vonesë nga largimi i autorëve nga perimetri. TIA ka njoftuar AAC për ngjarjen në orën 15:30, rreth 30 minuta pasi ka ndodhur ngjarja. Por më e rëndë akoma është fakti se punonjësit e ICTS nuk kanë njoftuar furgonin e Policisë së Shtetit që gjendej në pistë në momentin e ngjarjes. Madje me pas kur një patrullë e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë ka ndërhyrë menjëherë sapo ka marë njoftimin nga “ICTS Albania” dhe komisariati i Rinasit, por është penguar nga vetë stafi i “ICTS Albania”, pasi dera ku është kërkuar të futej policia, nuk hapej.