Grabitja në Rinas/ Basha: Kompania e sigurisë në bashkëpronësi të avokatit të PS-së, ja faktet tronditëse

11 Prill 2019, 15:35

Lideri i Partisë Demokratike Lulzim Basha dy ditë pas grabitjes së bujshme në pistën e avionëve në aeroportin e Rinasit, ka radhitur një sërë faktesh sipas tij, që përfshijnë shtetin.

Sipas kryedemokratit, nuk është zbatuar urdhri i 5 gushtit 2018 i ministrit të Brendshëm, që paratë e bankave të transportohen të shoqërua nga forca policie.

Basha thotë se shteti ka dështuar pasi Admir Murataj, një nga grabitësit që mbeti i vdekur gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, strehohej lirisht në Shqipëri teksa kërkohej nga Greqia për një sërë veprash penale dhe arratisje nga burgu në 2013-ën.

Basha ngriti pyetje nësë grabitësit janë të lidhur me segmente të shtetit. Sipas tij, përgjegjësinë për çka ndodhur e ka vetëm shteti

Lideri i opozitës joparlamentare, hodhi akuza edhe ndaj kompanisë koncensionare për sigurinë në aeroportin e Rinasit, që sipas tij ka bashkëpronarë persona të lidhur me qeverinë. Zgjidhja e vetme për të zbardhur dhe cuar para drejtësisë përgjegjësit, është vetëm revolta popullore - tha Basha - teksa ftoi qytetarët për tu bërë pjesë në protestën e 13 prillit kundër qeverisë.

Pjesë nga fjala e Bashës
Rënien e shtetit para krimit t'ia faturojë një kompanie private. Si për gjithcka, vjedhje apo korrupsion ai nuk mban përgjegjësi, fajin e kanë të tjerët. Ngjarja e Rinasit nuk është e shkëputur, por pjesë e grabitjeve tronditëse, apo rrëmbimeve, atentateve dhe zhdukjeve. Vrasjet e biznesmenëve dhe bankierëve kanë filluar me instalimin e Ramës në pushtet. Grabitja e Rinasit është rënia e shtetit. Një kriminal i kërkuar jetonte i lirë në Shqipëri dhe grabit 10 mln euro në vendin më të sigurt. Përgjegjës për sigurinë në Rinas është shteti dhe jo kompania private. Në bordin e Autoritetit Civil është vetë ministri i Brendshëm. Rama e ka pranuar se bandat luftojnë njëra tjetrën dhe nuk e ndien për detyrë të luftojë krimin. 48 orë pas ngjarjes kanë dalë fakte tronditëse.

Nëse do të zbatohej nga policia urdhri i ministrit të Brendshëm datës 5 gusht 2018, urdhri 130, ngjarja do të parandalohej. Urdhri thotë transporti i vlerave monetare të shoqërohet nga policia. Lleshaj i bëri bisht një fakti të rëndësishëm dhe si është e mundur se si Admir Murataj prej 6 vitesh asnjëherë nuk u kap, por planifikoi dhe realizoi katër grabitje në tre vite. Rama ka shkelur kushtetutën duke emëruar Gjeneral Sandër Lleshajn kryetar të këshillit drejtues të aviacionit civil.  Nën drejtimin e këtij këshilli nga Lleshaj aeroporti është grabitur dy herë. Kompania private që ka dështuar në mbrojtjen e sigurisë figuron në bashkëpronësi të avokatit të PS-së, Eno Bushi, i njohur si avokati i Riformatos, piloti italian të avionit me drogë.

Ndërsa gruaja e tij, Joana Bushi është drejtoreshë e trafikut ajror. Më shumë pyetje mbeten pa përgjigje, logoreja e Ramës rreket me propagandë. Pse nuk u zbatuar urdhri 130 për shoqërimin e parave nga policia? Cfarë përgjegjësie ka kompania e sigurisë në Rinas? Pse Lleshaj u emërua kryetar i kësaj drejtorie në shkelje të ligjit? Pse pas përplasjes me policinë grabitësit u larguan në këmbë pasi dogjën makinën? A janë akoma 10 mln euro në duar të bandës? A është vetëm për paaftësi apo kemi të bëjmë me bashkëorganizim të grabitjes me shtetin? A është shteti si në rastin e kultivimit të drogës? Pa shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe autorizim nga Kuvendi ushtria u nxor nga gazermat.