Gratë naftëtare të vendosura: Nuk dalim nga greva e urisë pa fituar lekët që kemi nxjerrë me djersë

1 Nëntor 2020, 12:55 | Përditesimi i fundit: 2020-11-01 12:56:03

BALLSH - Greva e naftëtareve vijon edhe gjatë kësaj të diele teksa ka hyrë në ditën e 18.

Gratë naftëtare vijojnë rezistencën e tyre pavarësisht se gjendja shëndetësore është përkeqësuar shumë.

Edhe në mes të lodhjes, stresit dhe shqetësimeve të tjera shëndetësore, ato nuk i ndalin thirrjet drejt kryeministrit për të zgjidhur problemet e tyre.

Tashmë ambientet e qendrës shëndetësore janë kthyer në një shtëpi te dyte por pa familjarët e tyre. Nuk dalin janë të vendosura deri në zgjidhjen e hedhjes së pagave që i kanë të fituara.

Greva dhe protestat e naftëtarëve tashmë e kanë kaluar muajin që nga fillimi i rikthimit i grevës së dytë brenda vitit.

Rezistenca dhe vazhdimi i ngujimit të tyre do të vazhdojë.

Teksa gjendja shëndetësore e tyre sa vjen dhe rëndohet, gratë naftëtare shprehen se do të vijojnë sërish. Një prej grevisteve shprehet se nuk do të dalin prej aty pa fituar lekët që kanë nxjerrë me djersë.

"Është dita e 18 e grevës. Do të vazhdojmë përderisa ne kemi marrë këtë risk përsipër, është e kotë nëse nuk fitojmë gjë. Largimi nga familjarët është shumë e vështirë. Unë jam me diabet jam shkëputur ndonjë ditë pasi jam me diabet dhe kam marrë mjekim. Nuk bëhet fjalë të dalim nga greva. Pa fituar lekët që kemi nxjerrë me djersë" - tha një prej grevisteve.