Grekët refuzojnë të ekstradojnë njeriun që urdhëroi vrasjen e ish-drejtorit të policisë Artan Cuku

12 Qershor 2019, 17:33

Drejtësia Greke ka refuzuar të ekstradojë në Shqipëri Bledar Jambellin, njeriun kryesor që urdhëroi ekzekutimin e ish-drejtorit të Policisë Vlorë Artan Cuku. Vendimi mësohet të jetë marë nga Gjykata e Lartë në Athinë dhe ende janë të paqarta shkaqet dhe motivet që gjyqtarët grekë kanë stopuar ekstradimin e Jambellit në Shqipëri, vend në të cilin qëndron pezull një dosje gjyqësore kundër Bledar Jambellit.

Lajmi konfirmohet nga burime pranë prokurorisë së Krimeve të Rënda, të cilat thanë se çështja e ekstradimit të Jambellit nga Greqia në Shqipëri është stopuar nga Gjykata e Lartë Greke, çka ka sjellë që ai të mos ekstradohet. Kujtojmë që prej 1 viti çështja kundër Jambellit dhe bashkëpuntorit të tij Kristaq Leci, po qëndron e pezulluar në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Të dy së bashku akuzohen për "Vrasje e punonjesve te policise se shtetit", kryer ne bashkepunim si dhe "Mbajte pa leje te armeve dhe municioneve luftarake".

Ndërkohë bashkëpuntori tjetër I tyre Mikel Shalari që u arrestua nga policia, pranoi të fliste dhe të bashkëpunonte me policinë, duke treguar dy emrat e mësipërm kundrejt një dënimi me 10 vite burgim. Shalari ishte personi që qëlloi disa herë me pistoletë Artan Cukun, përpara se ai të futej në ashensorin e pallatit ku banonte. Shalari pranoi të kishte marrë një shumë prej tre mijë eurosh për ta kryer vrasjen. Ai deklaroi se i ishte premtuar se do të merrte 20 mijë euro për këtë vrasje.

Motivacion për kryerjen e kësaj vrasje ishte bërë arrestimi i disa vite më parë nga Cuku i Bledar Jambellit, të cilit i kishte përgatitur dosjen penale për një vrasje të kryer në Vlorë. Jambelli ka vendosur të hakmeret duke kontraktuar vrasës me pagesë për ekzekutimin e ish-kryepolicit të Vlorës. Por pas vrasjes së Cukut, Jambelli është larguar nga Shqipëria duke u strehuar në Greqi, vend në të cilin dhe u arrestua nga policia helene. Artan Cuku u ekzekuta në prill të 2017-ës, në afërsi të banesës së tij. Ai kishte një karrierë më shumë se 15 vjeçare në Policinë e shtetit dhe kishte drejtuar poste të rëndësishme. Cuku konsiderohej një ndër policët që udhëhiqte drejtoritë e policisë me dorë të fortë kundër kriminalitetit.

    No videos found.