Greqia i kthen shpinën ish-djalit të artë të politikës

8 Korrik 2019, 11:17

Greqia i ka kthyer shpinën ish-djalit të artë të politikës Alexis Tsipras dhe ka zgjedhur të kthehet në të kaluarën.

Kyriakos Mitsotakis, udhëheqës i partisë konservatore ”Demokracia e Re” dhe që vjen nga një nga familjet më të fuqishme të politikës helene, është Kryeministri i ri i Greqisë, me 39,7% të votave dhe 158 vende në parlament.

Syriza, partia e majtë e Kryeministrit në largim, është ndalur në 31.4%, me vetëm 86 karrige parlamentare, pothuajse përgjysmuar në krahasim me 151 vendet e siguruara në zgjedhjet e vitit 2015.

Në mozaikun e Parlamentit grek, kanë hyrë edhe katër parti të reja duke dëshmuar kështu një kuadër të ri dhe mjaftë kompleks të politikës.

Veç konservatorëve dhe të majtëve, kanë kaluar pragun 3% Partia e Kinal, e krijuar nga të larguarit e Pasok-ut, të cilët kanë siguruar 22 deputetë, Partia Komuniste me 13 vende, Mera25 e ish vëllait armik të Tsipras Yannis Varoufakis, dhe filo rusët e Aksioni Helen. Për Agimin e Artë, zgjedhjet e parakohshme ishin një dështim i paralajmëruar, Nga 7% ata kanë siguruar vetëm  2,9% të votave.

Kryeministri në largim Tsipras ka mbrojtur para votuesve reformat e tij politike dhe ekonomike. “Luftova deri në fund. Kush nuk lufton nuk bën gabime. Do të reflektojmë mbi gabimet dhe do të bëjmë një opozitë në favor të të varfërve” – u shpreh lideri i Syriza pas votimeve.

Kryeministri i ri Mitsotakis tha përpara përkrahësve të vet se ai do ta bëjë Greqinë një vend më të mirë dhe do të jetë Kryeministër edhe i atyre që nuk e votuan.