Greqia nuk lejon kalimin as për tranzit, qytetarja nga Mali i Zi: Është nxehtë e jemi të lodhur

1 Korrik 2020, 20:43

Greqia mori vendimin që të mos e çelë kufirin me Shqipërinë. Pas këtij vendimi nga pika e kalimit kufitar në Kapshticë kanë mundur të kalojnë vetëm shqiptarë rezident në Greqi, qytetarë që për arsye të ndryshme të shoqëruar me dokumentet përkatëse iu është dashur dalja drejt Greqisë si dhe mjetet e transportit të mallrave,ndërsa për qytetarë me pasaporta biometrike kalimi është i pamundur. Por sot në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës dalja drejt shtetit grek ka qenë e pamundur edhe për këta shtetas të huaj të cilët përmes Shqipërisë kërkuan të kalojnë kufirin tranzit.Situata prej Covid-19 ka qenë pengesa qe iu ndalon kalimin në Greqi ky ka qenë shpjegimi që kanë marrë nga pala greke turistët nga Mali i zi dhe Çekia. "Shkuam në këmbë për të pyetur nëse kemi mundësi që të kalojmë për në Greqi. Nuk e dimë, shkuam aty dhe u kthyem në makinë. Do të shkojmë diku pasi se dimë nëse do të kthehemi apo do të na lejojnë të kalojmë kufirin", shprehet njëra nga turistet. "Vij nga Mali i Zi, punoj atje, kam kompaninë, jetoj atje, por dhe kam marrë një rekomandim nga ambasada që të shkoj çdo javë dhe më thanë po lejohesh. Por nga sot nuk u lejuam. Ne jemi qytetarë tranzit. na lejuan në kufirin shqiptar, nuk na thanë gjë, por kur erdhëm këtu na thanë që u mbyllëm përsëri që prej orës 9. Të gjithë kaluan para orës 9 kurse ne nuk mundëm. Nuk e di se çfarë do të bëhet nëse do të kthehem në Mal të Zi apo do t'i bie nga Maqedonia, Bullgaria e më pas në Turqi. Është nxehtë dhe jemi të lodhur", thotë një turiste tjetër. Të gjendur në këtë situatë turistëve të huaj u është dashur që të kthehen mbrapsht.