TIRANË- Në një kohë kur situata e COVID-19 ka pasur disa përkeqësime në shumë shtete te Europës, Greqia ka propozuar marrjen e një mase të re. Për shkak të fluksin të madh të udhëtarëve me Shqipërinë, për shkak të festave të fundvitit, Greqia ka propozuar që kontrolli shëndetësor në pikat kufitare me Shqipërinë dhe vendet e tjera në kufi me të, të kryhen përpara kontrollit të pasaportave. Lajmi u bë i ditur nga zv. Ministrit të Mbrojtjes Civile të Greqisë Nikos Hardalia në Janinë, i cili argumentoi se ky vendim ka ardhur me qëllimin që të mbrohet stafi i policisë kufitare.
Që do të thotë, në rast se personi del pozitiv, kthehet mbrapsht në vendin e origjinës pa pasur kontakt me efektivët e policisë.
Ndërkohë, Shefi i Stacionit të Policisë Kufitare Kakavijë Vilson Dine ka risjellë edhe në vëmendje kategoritë e personave që lejohen të udhëtojnë drejt Greqisë, si dhe kushtet që duhet të plotësojnë. Në një bilanc të përgjithshëm, Dine ka dhënë edhe shifra konkrete të shqiptarëve që kanë hyrë dhe kanë dalë nga kjo pikë e kalimit kufitar.
"Gjatë kësaj periudhe kanë hyrë në Republikën e Shqipërisë nëpërmjet P.K.K. Kakavijë, 338.899 shtetas, nga të cilët 242.536 shqiptarë dhe 96.363 shtetas të huaj dhe 114.133 automjete, ndërsa kanë dalë nga Republika e Shqipërisë 352.088 shtetas shqiptarë e të huaj dhe 121.496 automjete", tha Dine.