Greqia: Të fillojnë bisedimet mbi marrëveshjen e detit, reagon Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë

11 Gusht 2020, 12:40

Greqia kërkon rifillimin e negociatave për një  Marrëveshje mbi Detin dhe me Shqipërinë, pas anullimit nga Gjykata Kushtetuese më 2010 të marrëveshjes së nënshkruar me 2009 dhe dështimit të dy tentativave të tjera në 2017 dhe 2018. Ministri i jashtëm grek, Dendias e dha këtë njoftim në muajin qershor. Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i kërkon qeverisë dhe diplomacisë sonë për ta vlerësuar drejt e në kohën e duhur këtë moment të ri përcaktues në marrëdhëniet me Greqinë fqinje. Kjo kërkon gjithashtu të jemi të përgatitur me kohë, me alternativa të përditësuara konkrete dhe bindëse, të bashkërenduara me të gjitha institucionet më të larta dhe instancat e tjera përkatëse.

Greqia më 6 gusht ajo përfundoi negociatat me Egjiptin ndërsa më 8 Qershor e ka nëshkruar me Italinë; ndërkohë, është në proces bisedimesh me Izraelin, Qipron, Libinë, etj. Disa ditë më parë, liderët më të lartë grekë dhe turq shprehën në parim gatishmërinë për rifillimin e bisedimeve ndërmjet tyre lidhur me përcaktimin e Zonave Ekskluzive Ekonomike në Detin Egje dhe në Mesdheun Lindor.

Njoftimi i plotë nga Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë 

Nisur nga rëndësia dhe referenca e veçantë që ka për vendin tonë, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë po ndjek me vëmendje dhe përparësi demarshet më të fundit intensive të diplomacisë greke lidhur me përcaktimin e Zonave Ekskluzive Ekonomike detare me disa vende. Së fundmi, më 6 Gusht ajo përfundoi negociatat për një Marrëveshje të tillë me Egjiptin ndërsa më 8 Qershor e ka nëshkruar me Italinë; ndërkohë, është në proces bisedimesh me Izraelin, Qipron, Libinë, etj.

Po ashtu, disa ditë më parë, liderët më të lartë grekë dhe turq shprehën në parim gatishmërinë për rifillimin e bisedimeve ndërmjet tyre lidhur me përcaktimin e Zonave Ekskluzive Ekonomike në Detin Egje dhe në Mesdheun Lindor.

Në këtë kuadër, në Qershor dhe disa ditë më parë, Ministri i Jashtëm grek, Zoti Dendias ka pohuar publikisht se Greqia do të kërkojë rifillimin e negociatave për një  Marrëveshje mbi Detin dhe me Shqipërinë, pas  anullimit nga Gjykata Kushtetuese më 2010 të Marrëveshjes së nënshkruar me 2009 dhe dështimit të dy tentativave të tjera më 2017/2018.