‘Gruaja fatale’, bosja e kartelit të drogës, 21 vjeçarja ‘La Catrina’ qëllohet për vdekje nga policia meksikane

14 Janar 2020, 13:08

Maria Guadalupe Lopez Esquivel, 21 vjeçe me emrin 'La Catrina', ka gjetur vdekjen në një sulm me policët dhe ushtrinë meksikane.

Ajo ishte në krye të kartelit famëkeq meksikan i cili kreu masakrën e muajit tetor ku gjetën vdekjen 13 oficerë policie dhe dyshohej se ishte pjesë e dy bandave që morën pjesë në vrasjen e tre nënave dhe 6 fëmijëve të tyre në fillim të muajit nëntor.

Sipas njoftimeve të mediave lokale, gruaja e re ishte në një shtëpi të sigurt me disa anëtarë të kartelit të armatosur kur policia dhe ushtria nisën sulmin.

Gjatë shkëmbimit të zjarrit 'La Catrina' u plagos dhe humbi jetën disa minuta më vonë në helikopterin që e transportonte për në spital.

‘La Catrina’ besohet se iu bashkua kartelit në vitin 2017 dhe pas pak kohësh u ngjit në sferat e larta të klanit.

Ajo ishte shpallur në kërkim nga autoritetet dhe akuzohej për kryerjen e vrasjeve, zhvatjeve dhe rrëmbimeve.