Gruaja italiane festonte ditëlindjen me shokët në hotel, plagoset me thikë nga burri i saj shqiptar

28 Janar 2021, 11:52

Një shtetase italiane në Kavajë është plagosur thikë në dorë gjatë orëve të vona të mbrëmjes së kaluar nga burri i saj shqiptar.

Burime nga Policia e Kavajës bëjnë me dije për gazetarin e Report Tv Sokol Dema se shtetësja italiane është gërvishtur pak në dorë, ndërsa ndodhet në komisariat për të dhënë të gjitha deklarimet në lidhje me rastin.

Kur ka ndodhur ngjarja ajo ka qenë duke festuar ditëlindjen në dhomën e saj në hotel me disa të ftuar. Bashkëshorti i saj ndodhej gjithashtu në të njëjtin hotel, por në dhomë tjetër dhe në masën e sigurisë "arrest shtëpie", për dhunë në familje.

Ai u ka kërkuar të ftuarve të bashkëshortes dhe vetë asaj që të pushonin pasi po bënin zhurmë gjatë festës dhe ndërkohë në debat e sipër janë konfliktuar me njëri-tjetrin. Si pasojë e konfliktit burri ka marrë një thikë dhe e ka qëlluar, por për fat të mirë e ka qëlluar në dorë dhe nuk i ka shkaktuar probleme.

Në dëshminë e tij në komisariat bashkëshorti ka thënë se gjatë kohës që po zhvillohej festa në katin e parë po bëhej shumë zhurmë. Kësisoj ai është ankuar pasi ishte orë e vonë. Më pas, sipas tij, kanë qenë disa miq të bashkëshortes së tij, të cilët i kanë shkuar në dhomë dhe e kanë rrahur. Më pas, në konflikt e sipër, ka shtuar se ka marrë një thikë të vogël dhe ka qëlluar bashkëshorten në pjesën e parakrahut.

Policia vijon ta mbajë në Komisariatin e Kavajës, por akoma nuk ka një vendim për të nëse do të ketë apo jo fletë arresti. Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së kaluar, por ende nuk bëhen me dije identitetet e tyre.