Gruaja italiane festonte ditëlindjen me shokët në hotel, plagoset me thikë nga burri i saj shqiptar

28 Janar 2021, 14:13

Një shtetase italiane është plagosur thikë në dorë gjatë orëve të vona të mbrëmjes së kaluar nga burri i saj shqiptar në Rrogozhinë. Bëhet fjalë për Kastriot Demajn, 35 vjeç, banor i fshatit Ballaj, i cili është i martuar prej vitesh me shtetasen italiane Charlote me të cilën ka dy fëmijë dhe një resort në këtë zonë. Burime nga Policia e Kavajës bëjnë me dije për gazetarin e Report Tv Sokol Dema se shtetësja italiane është gërvishtur pak në dorë, ndërsa ndodhet në komisariat për të dhënë të gjitha deklarimet në lidhje me rastin.

Kur ka ndodhur ngjarja ajo ka qenë duke festuar ditëlindjen në dhomën e saj në hotel me disa të ftuar. Bashkëshorti i Charlote ndodhej gjithashtu në hotelin e tyre, por në dhomë tjetër dhe i dënuar me masën e sigurisë "arrest shtëpie", për dhunë në familje. 

Ai u ka kërkuar të ftuarve të bashkëshortes dhe vetë asaj që të pushonin pasi po bënin zhurmë gjatë festës. Ndërkohë në debat e sipër janë konfliktuar me njëri-tjetrin. Si pasojë e konfliktit burri ka marrë një thikë dhe e ka qëlluar, por për fat të mirë e ka plahgosur në dorë dhe nuk i ka shkaktuar probleme.

Në dëshminë e tij në komisariat bashkëshorti ka thënë se gjatë kohës që po zhvillohej festa bëhej shumë zhurmë. Kësisoj ai është ankuar. por më pas, sipas tij, kanë qenë disa miq të bashkëshortes së tij, të cilët i kanë shkuar në dhomë dhe e kanë rrahur. Më pas, në konflikt e sipër, ka shtuar se ka marrë një thikë të vogël dhe ka qëlluar bashkëshorten në pjesën e parakrahut.

Dema së bashku me gruan e tij kanë një resort në këtë zonë. Prej kohësh italiania kishte urdhër mbrojtje nga policia pasi burri i saj e dhunonte herë pas here. Aktualisht Charlote, ndodhet në spitalin e Durrësit jashtë rrezikut për jetën ndërsa Dema ne polici. Policia vijon ta mbajë në Komisariati, por akoma nuk ka një vendim për të nëse do të ketë apo jo fletë arresti. Policia po punon për zbardhjen e ngjarjes ku kyç janë pamjet e kamerave.