Gruaja shqiptare me biznesin në SHBA, ndër më të sukseshmet nën moshën 40-vjeçare

19 Janar 2020, 14:51

Orieta Kristo emigroi nga Shqipëria në Shtetet e Bashkuara në moshën 14-vjeçare, pa ditur pothuajse fare anglisht. 

Sot ajo është drejtuese ekzekutive e një kompanie të suksesshme sigurimesh që e themeloi para 5 vitesh, “Horizon Insurance”.

Kristo është përzgjedhur nga Revista e Biznesit e Usterit, në Shtetin e Masaçusetsit, si një nga 40 profesionistët e suksesshëm nën moshën 40 vjeç për vitin 2019.

Në një intervistë me Zërin e Amerikës, zonja Kristo foli për karrierën e saj, balancimin me jetën personale dhe përkushtimin ndaj komunitetit shqiptaro-amerikan në qytetin e saj dhe në shtetin e Masaçusetsit.

Për Orieta Kriston, vendimi për të hapur një biznes të vetin nuk ishte i lehtë. Ajo kishte një karrierë të stabilizuar, në një nga kompanitë më të mëdha të sigurimeve “Liberty Mutual”. 

“Në qoftë se intuita më thotë që kjo është gjë e mirë, kjo është gjë e drejtë dhe që do ia dalësh mbanë, unë futem me kokë, le të themi. Dhe më pëlqeu shumë ideja që mund të bëja diçka timen, që të krijoja një lloj kulture, ose njerëz që do më rrethonin, të jenë njerëz si puna ime, pozitivë, duan që të ndihmojnë komunitetin shqiptar”,u shpreh Kristo.

Ajo e themeloi kompaninë “Horizon Insurance” në vitin 2014. 

Sot u shërben 3,500 klientëve në shtetin e Masaçusetsit, duke plotësuar nevojat e tyre për sigurime automjetesh, banesash, të jetës dhe të bizneseve të tyre. 

Kompania e saj ka siguruar afërsisht 5 milionë dollarë në shitje.

    No videos found.