Grupe-grupe të çdo moshe në rrugë, zbehet ndërgjegjësimi edhe në Lezhë

18 Mars 2020, 12:43

Ndërgjegjësimi i qytetarëve në Lezhë për t'u mbrojtur nga coronavisuri, po zbehet gjithnjë e më shumë. Në ditën e gjashtë të karantinës lëvizjet në qytet kanë qenë të shumta, kryesisht gjatë orëve të paradites.

Qytetar të të gjithave moshave janë parë duke lëvizur edhe në mënyre të grupuar, duke shkelur hapur rregullat e përcaktuara për mbrojtjen nga COVID-19.

Ndërkohë në qytetin e Lezhës lokalet vijojnë të zbatojnë urdhrin e qeverisë për të mos vijuar aktivitetin, ndërsa monitorimi i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor për zbatimin e aktit normativ është i vazhdueshëm. Gjithashtu një vëmendje e veçante po i kushtohet edhe higjienës në furrat e bukës të cilat kontrollohen në vazhdimësi. Qarku i Lezhës vijon të jetë i paprekur nga coronavirusi, pavarësisht se janë testuar një numër i konsiderueshëm personash të dyshuar si të prekur, por që kanë rezultuar negativ.