Hado për Report Tv: Sfidoj këdo që më thotë se janë vonuar 1 orë pensionet! Fermerëve do u njihen sigurimet

31 Tetor 2019, 20:12

TIRANË- Astrit Hado, drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore garantoi në studion e Report Tv të gjithë pensionistët se financat janë të shëndosha dhe të gjithë pensionet do të paguhen në kohë.  Hado theksoi se nuk ka ndodhur në të paktën 10 vitet e fundit të jetë vonuar as me një orë pagesa e pensioneve, për shkak të mungesës së parave.

"Sfidoj këdo që thotë se janë vonuar qoftë edhe 1 orë pensionet. Nuk kemi mungesë fondesh. Edhe në fondin rezervë është i plotësuar, që para një viti e gjysmë", tha Hado.

Ai ka njoftuar gjithashtu se të gjithë fermerët që paguan detyrimet e sigurimeve shoqërore në vitin 2014 do t'u njihen. Hodo shtoi se gjatë atyre viteve pati një fluks të madh të fermerëve që paguan rreth 2 milionë lekë të vjetra secili, për të përfituar rreth 20 vite pension.

Drejtori i ISHS-së tha se edhe ish- ushtarakët do të përfitojnë pension të parakohshëm të plotë. Hodo nënvizoi se nga ky vendim do të përfitojnë rreth 1600 ish-ushtarakë, teksa shtoi se ish- ushtarakët nuk do të penalizohen më nga kushti i mëparshëm që nëse një familjar i tyre kishte tokë.

"Para rreth një jave janë miratuar tre VKM, dy për ish-ushtarakët dhe një me pagat që deklarohen dhe njohjen e sigurimeve për fermerët. Rreth 1500 ushtarakë do e përfitojnë, brenda 2 javësh do hidhen në pagesë", tha Hado.